Gara për kryetar të Komunës së Vrapçishtit po bëhet gjithnjë e më dinamike dhe premtuese për një përballje të fortë në zgjedhjet lokale të vjeshtës. Deri tani, kandidatura e vetme publike është ajo e Isen Shabanit, ish-sekretarit organizativ të Aleancës për Shqiptarët dhe figurës që shihet si lidhje mes klaneve të ndara të Aleancës së Taravarit dhe Selës. Shabani, i njohur në opinionin publik si “djali i Ali Ahmetit”, synon të sigurojë një mandat të tretë radhazi, por kandidatura e tij njihet me skepticizëm nga një pjesë e elektoratit opozitar.
Ndërkohë, koalicioni opozitar VLEN ende nuk ka shpallur kandidaturën e tij zyrtare, por sipas burimeve të brendshme, po zhvillohen anketa për identifikimin e kandidatit më të mirë për këtë garë. Një emër që po përmendet si alternativë serioze është profesori universitar Mitas Beqiri, i propozuar si kandidat i pavarur nga një grup qytetarësh dhe intelektualësh lokalë. Ky skenar ngjan me atë të Strugës, ku VLEN mbështet kandidatin e pavarur Mendi Qyra.
Beqiri njihet për qëndrimin e tij opozitar dinjitoz dhe kontributin akademik në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, me përvojë mbi një dekadë si dekan i Fakultetit të Sigurisë në universitetin FON në Shkup. Ai përfaqëson një alternativë të re kundrejt modelit klientelist të BDI-së dhe është i vlerësuar për integritetin dhe bagazhin e tij intelektual.
Mbështetja e mundshme nga VLEN pritet të jetë një hap strategjik për të mobilizuar elektoratin e zhgënjyer dhe për të sjellë frymë të re në skenën politike lokale të Vrapçishtit. Në rast të realizimit të këtij skenari, gara lokale do të bëhet më interesante, duke qenë përballje mes status quo-së së komprometuar dhe një vizioni të ri e serioz.










