Trendy

Vuçiq: Rregullat nuk ekzistojnë më, SHBA-të e kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare

Para 5 muaj

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi pas mbledhjes së zgjeruar të kolegjiumit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm se takimi i sotëm ishte “një ndër momentet vendimtare për ndryshimet që do të ndodhin në Ushtrinë e Serbisë” dhe se sot bota funksionon pa të drejtë, pa drejtësi dhe pa ndonjë rregull. Ai u ndal edhe te tema më aktuale – konflikti mes Iranit dhe Izraelit, si dhe reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, Serbia ka ndryshuar doktrinën ushtarake. “Sipas doktrinës së re, ushtria jonë duhet të jetë shumë më e fuqishme. Gjatë vitit të kaluar kemi bërë shumë për modernizimin dhe përparimin e ushtrisë sonë. Sot jetojmë në një botë ku e drejta dhe drejtësia prej kohësh nuk ekzistojnë më, dhe tani janë zhdukur edhe rregullat. Duhet ta pranojmë dhe ta kuptojmë këtë”, theksoi Vuçiq, sipas Blic.

Ai shtoi se është shumë e vështirë ta kuptosh dhe ta pranosh këtë realitet. “Por duhet. Të jesh anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe të kesh të garantuar integritetin territorial në bazë të vendimeve të OKB-së – kjo sot nuk do të thotë më asgjë. Fuqitë e mëdha i shkelin brutalisht këto kur u konvenon, duke shpikur parime të reja që nuk ekzistojnë. Edhe ne duhet t’i përshtatemi kësaj. Duhet ta rrisim nivelin e kapaciteteve tona mbrojtëse, dhe gjithçka që bëjmë, e bëjmë për qytetarët e Serbisë”, tha Vuçiq.

Ai theksoi se kjo nuk ka të bëjë me “krekosje shtetërore”, siç e përshkruajnë disa analistë zviceranë.
“Këtu bëhet fjalë për interesat më të larta të qytetarëve të Serbisë – të jenë të mbrojtur, të sigurt dhe të qetë. Në këtë drejtim analizuam disa çështje. Për herë të parë kam lajme të mira sa i përket personelit. Jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë. Për herë të parë kemi interesim më të madh për njësi të ndryshme sesa kemi pritur”, u shpreh Vuçiq.

“SHBA-të kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare”
Duke folur për luftën mes Izraelit dhe Iranit, Vuçiq komentoi edhe qëndrimin e Serbisë ndaj këtyre vendeve.

“Të dy popujt janë miqësorë për ne. Duam paqe dhe nuk e kuptoj pse nuk u përpoq të zgjidhej gjithçka në mënyrë diplomatike. Për të qenë konkret – sepse njeriu duhet të jetë i sinqertë me veten dhe me shtetin – ne duam marrëdhënie sa më të afërta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një partneritet strategjik. Ne jemi një vend i vogël. Por a e kanë shkelur SHBA-të të drejtën ndërkombëtare? Absolutisht po”, deklaroi Vuçiq.

Ai shtoi se Serbia e ka thënë këtë edhe në raste të tjera.
“Nuk ka të drejtë, nuk ka drejtësi. Dhe, ajo që është edhe më e rëndësishme, sot nuk ka më as rregulla. Tani të pyesim: si do t’i flasë Perëndimi Rusisë – apo ndonjë vendi tjetër – për shkeljen e integritetit territorial? Të gjithë tashmë e keni shkelur atë. E keni shkelur në rastin e Serbisë dhe të RFJ-së. Por shumë e kanë harruar – ka ndodhur para 26 vitesh. Ndërsa kjo që po ndodh tani është përpara syve të të gjithëve. Cilat janë pra parimet? Cilat janë rregullat sipas të cilave mund të arrihet paqe në botë? Pse e them këtë? Sepse po rrëshqasim drejt kaosit total. E gjithë bota. Çmimi i naftës sot është 25 për qind më i lartë se dhjetë ditë më parë. Po i mbajmë çmimet e pompave me zor që të mos shpërthejnë. Nafta Brent sot në mëngjes u hap me çmim 78.4, ndërsa ishte 64. Dhe nuk është vetëm çështje çmimi. Edhe çmimi i gazit është rritur në mënyrë ekstreme. Tani nuk është më vetëm një çështje çmimesh”, u shpreh Vuçiq.

Ai iu përgjigj edhe pyetjes për eksportin e municionit në Izrael, duke thënë se gjithçka është ndalur pas fillimit të luftës me Iranin.

“Ne shesim municion, prej të cilit jetojnë drejtpërdrejt 24.000 njerëz dhe indirekt 50.000. Me familjarët, bëhet fjalë për rreth 150.000 njerëz në këtë vend. Nuk do t’i lë 150.000 njerëz pa bukë. Përkundrazi, detyra ime si president është t’u hap tregje të reja. Dhe u kam hapur thuajse të gjitha tregjet aziatike. Edhe tregun amerikan,” theksoi Vuçiq dhe shtoi se Serbia eksporton municion prej 15 vitesh.

Trending