Granit Xhaka është shpallur futbollisti më i mirë i vitit te Përfaqësuesja e Zvicrës për herë të katërt rresht, ndërsa Xherdan Shaqiri ka fituar çmimin e lojtarit më të mirë të Superligës së Zvicrës për vitin 2025.
Të dy çmimet u takojnë futbollistëve shqiptarë dhe janë ndarë nga Federata e Futbollit e Zvicrës, e cila ka bërë të ditur edhe fitues të tjerë në kategori të ndryshme.
Granit Xhaka vazhdon të jetë kapiten dhe lider i Zvicrës, ndërsa po shkëlqen edhe te Sunderland në Premier League, ku pas rikthimit nga Bayer Leverkuseni ka marrë menjëherë shiritin e kapitenit te skuadra e promovuar.
“Si kapiten, 33-vjeçari e udhëhoqi Zvicrën në paraqitjen e gjashtë rresht në Kupë të Botës. Ai ka shfaqur kualitetet e liderit edhe në nivel klubesh. Pasi u kthye në Premier League nga Bayer Leverkuseni, menjëherë e mori shiritin e kapitenit te skuadra e promovuar, Sunderland”, ka shkruar “Bluewin”.
Ndërkohë, për Xherdan Shaqirin është vlerësuar paraqitja e tij e shkëlqyer me Baselin pas rikthimit në Superligë, ku sipas “Bluewin” ka qenë vendimtar me gola dhe asistime.
“Xherdan Shaqiri i dha formë Superligës në vitin 2025 me inteligjencën e jashtëzakonshme në ndeshje dhe me kualitetin e jashtëzakonshëm me këmbën e majtë. I kthyer te Baseli, ish-reprezentuesi e gjeti formën e dikurshme: vendimtar në gola, pasime brilante – 13 gola dhe 13 asistime në vetëm 20 ndeshje të ligës në pranverë – me stil të liderit që e udhëhoqi ekipin drejt titullit. Si forcë shtytëse e Baselit, lojtari më i mirë i Superligës vazhdimisht shfaqi se është prej lojtarëve më me ndikim në futbollin zviceran në gjeneratën e tij”, ka shkruar “Bluewin”.
Çmim ka fituar edhe Valon Fazliu, i cili është shpallur më i miri në kategorinë e dytë të Zvicrës për herë të dytë rresht, ndërsa Geraldine Reuteler është vlerësuar si futbollistja më e mirë për vitin e dytë me radhë.
“Punëtor i palodhur dhe shumë efikas, i rrezikshëm para portës, ai e udhëhoqi Aaraun me shpërthimin dhe guximin në momentet vendimtare”, thuhet në vlerësimin për Fazliun.
Federata e Futbollit e Zvicrës ka bërë të ditur se çmimet janë ndarë për vitin 2025, ndërsa ceremonia fillestare është shtyrë për shkak të një fatkeqësie në Crans-Montana më 1 janar.










