Trendy

Zbulohen fitimet e biznesit legal të Gruevskit në Hungari?!

Para 1 orë

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili nga viti 2018 jeton në Hungari, prej disa vitesh ka të regjistruar një kompani konsulence përmes së cilës siguron të ardhura nga shërbimet e biznesit, njoftoi portali hungarez “444”.

Sipas të dhënave që transmeton ky portal, Gruevski në vitin 2021 ka themeluar kompaninë “I.C.I.C Kft.”, e regjistruar për aktivitete konsulence. Bëhet fjalë për një kompani të vogël pa punonjës, e cila vepron në fushën e këshillimit për biznes dhe menaxhim.

Pasqyrat financiare tregojnë se kompania në vitin 2025 ka realizuar të ardhura prej rreth 9.600 euro, përkatësisht 3,4 milionë forinta hungareze.
Në vitin 2024, të ardhurat kanë qenë pak më të larta dhe kanë arritur në rreth 11.600 euro, respektivisht 4,1 milionë forinta.

Sipas të dhënave të publikuara, kompania në vitin 2025 ka përfunduar me një fitim prej rreth 5.650 euro, ose pothuajse 2 milionë forinta. Edhe pse të ardhurat nuk janë të larta, ato tregojnë se firma ka një aktivitet të vazhdueshëm që nga themelimi i saj.

Mediumi hungarez shton se të ardhurat e rregullta mund të tregojnë për një klient të përhershëm ose për një rreth të kufizuar klientësh, por në të dhënat e disponueshme nuk specifikohet se kush i shfrytëzon shërbimet e kësaj kompanie.

Ky informacion publikohet në një periudhë kur sërish është hapur çështja e statusit juridik të Gruevskit në Hungari. Portali hulumtues “VSquare” njoftoi se ish-kryeministri dyshohet se ka marrë shtetësinë hungareze në vitin 2022, bazuar në interesin shtetëror hungarez.

Një informacion i tillë deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar publik nga autoritetet hungareze. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria nuk ka informacion zyrtar nëse Gruevski posedon shtetësi hungareze.

Nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se Gruevski vazhdon të jetë shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe se institucionet po i vijojnë procedurat lidhur me ekstradimin e tij, në përputhje me legjislacionin vendas, marrëveshjet dypalëshe dhe konventat ndërkombëtare.

Rasti mbetet aktual për shkak të procedurave gjyqësore që po zhvillohen në Maqedoni, si dhe për shkak të pyetjeve lidhur со statusin dhe qëndrimin e tij në Hungari.(INA)

Trending