Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut ka dërguar kërkesa për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në tre shtete të ndryshme, raportoi emisioni investigativ KOD në televizionin Telma TV.
Sipas raportimit të emisionit, vendosja e Grubit në arrest shtëpiak më herët ishte mundësuar edhe për shkak të kërcënimeve serioze me jetë ndaj tij. Kërcënimet, sipas të njëjtave burime, dyshohet se kishin ardhur nga persona që ndodheshin në burg, të cilët thuhet se kishin ofruar edhe para për eliminimin e ish-zyrtarit.
Gazetarët e KOD thanë se kanë siguruar informacione për identitetin e personit që dyshohet se ka ofruar shpërblimin dhe shumën e parave, por këto detaje nuk u bënë publike gjatë emisionit.
Sipas raportimit, Grubi kishte dijeni për këto kërcënime dhe më pas u largua drejt një vendi nga ku, sipas dyshimeve, mund të vinin personat e angazhuar për atentatin.
Emisioni paralajmëroi se në edicionin e radhës do të trajtojë në detaje se si, sipas tyre, është përgatitur skena për kthimin e mundshëm të Grubit pas një arratisjeje që zgjati rreth 14 muaj.(INA)










