Pamjet e publikuara nga një kamerë sigurie kanë hedhur dritë mbi incidentin e ndodhur sot në Çair, ku kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, pretendoi se ishte sulmuar fizikisht dhe se ishte kërcënuar për përdhunim para syve të policisë.
Sipas videos, e cila po qarkullon në rrjetet sociale dhe mediat lokale, është vetë Arsovska ajo që fillimisht e sulmon një burrë me shkelma, përpara se ky i fundit të reagojë duke kundërpërgjigjur me një goditje. Në sfond dëgjohet një zë femëror që flet me ton të lartë, duke shtuar tensionin e skenës.
Policia, e cila ndodhej në vendngjarje, ka ndërhyrë menjëherë pas incidentit dhe e ka ndaluar burrin e përfshirë në përleshje. Por ndryshe nga pretendimet e bëra publikisht nga Arsovska, Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi për televizionin Telma se “është e pavërtetë që sulmi ka ndodhur para syve të policisë” dhe e cilësoi versionin e saj si “gënjeshtër dhe tentativë të përsëritur për të manipuluar opinionin publik.”
Për më tepër, incidenti nuk është raportuar zyrtarisht nga Arsovska në MPB. Ajo është drejtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” ku është pranuar në Qendrën Urgjente, pa dhënë detaje të tjera për trajtimin e saj.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, ndërkohë që institucionet kërkojnë qetësi dhe sqarim të plotë të rastit nëpërmjet procedurave ligjore dhe hetimeve zyrtare.





