Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri duke folur për ndryshimet kushtetuese dhe problemin me Bullgarinë, tha se është një temë sensitive për identitetin e një populli, siç është ai maqedon.
“E dimë është një nga kushtet kryesore që na imponohet. Partinë që e kemi në koalicion VMRO-DPMNE, ata duhet të iniciojnë një procedurë të tillë, ata e kanë pak këtë me hezitim, duke i mirëkuptuar, ta ruajnë identitetin, dhanë diçka nga vetja, dhanë emrin tani edhe ndryshimet kushtetuese. Integrimi mbetet prioritet për ne dhe besoj se do të arrijmë një zgjidhje”, ka thënë Zekolli Shaqiri për A2 CNN.
Ne, shton ajo, duam të eliminojmë çdo pengesë që na paraqitet për integrimet në BE dhe kjo për koalicionin VLEN mbetet prioritet.
“Duhet të gjemë modalitetin e duhur dhe të përshtatshëm për të shikuar çdo mundësi që ndryshimet kushtetuese të jenë më pak të dhimbshme në kuptimin se si e ndejnë populli maqedonas. Si VLEN, në një vit e gjysmë jemi duke dhënë maksimumin që zbrazëtirat juridike që kemi hasur, siç është ligji për gjuhët, ai për përfaqësimit e drejtë t’i përmirësojmë dhe shqiptarët të jenë të mbrojtur në aspekt kushtetues dhe ligjor, jo vetëm me politika ditore e deklarata që nuk kanë pasur asnjë mbrojtje të vërtetë”, nënvizoi Zekolli Shaqiri.










