Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se gjendja në vijën e frontit për vendin e tij është më e mira që nga mesi i vitit të kaluar, duke shtuar se trupat ukrainase kishin zbuluar një ofensivë ruse në mars.
Kur lufta ka hyrë në vitin e pestë, luftime po zhvillohen përgjatë më shumë se 1.200 kilometrave të vijës së frontit. Trupat ruse po e gërryejnë mbrojtjen ukrainase, por edhe Ukraina po kundërsulmon, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zelensky tha se, duke i marrë parasysh pushtimin dhe çlirimin e territoreve, Kievi është “lehtas në anën pozitive”, duke çliruar rreth 20 kilometra katrorë. Ai nuk e saktësoi periudhën kohore gjatë së cilës është arritur ky avancim territorial.
“Ofensiva që ata [rusët] po e planifikonin për mars u spraps nga aksionet e forcave tona të armatosura. Për këtë arsye, rusët tani thjesht do t’i shtojnë operacionet e tyre sulmuese” – tha Zelensky.
“Në përgjithësi, vija e frontit po mbahet… Situata është komplekse, por më e mira që ka qenë në dhjetë muajt e fundit” – tha Zelensky, duke cituar të dhëna nga inteligjenca ukrainase dhe britanike.
Sipas tij, trupat ruse janë duke u grumbulluar afër qytetit Pokrovsk të rajonit të Donetskut dhe gjithashtu afër Hulaipoles, në rajonin juglindor të Zaporizhias.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi për 230 përleshje luftarake gjatë 24 orëve të fundit, duke thënë se shumica e sulmeve ndodhën afër Pokrovskit dhe Zaporizhias.





