Trendy

“Zemra e kombit u fshi nga regjistrat” – VLEN shpërthen ndaj Ahmetit

Para 9 muaj

Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili së fundmi tha se regjistrimi i popullsisë është realizuar “sipas marrëveshjeve”. Sipas VLEN-it, kjo deklaratë përbën një pranim publik të pazareve politike që kanë cenuar drejtpërdrejt të drejtat e diasporës shqiptare.

“Të thuash se regjistrimi ishte në kuadër të marrëveshjeve është jo vetëm pranim publik i përgjegjësisë, por edhe dëshmi tronditëse e pazareve që janë bërë mbi kurrizin e diasporës shqiptare”, thuhet në reagimin zyrtar të VLEN.

Sipas VLEN, ajo që Ahmeti prezantoi si sqarim është në fakt një skandal që kërkon përgjigje të menjëhershme.

“Prandaj, Ali Ahmeti duhet të përgjigjet qartë: Cila ishte ajo marrëveshje? Me kë e ke bërë? Në emër të kujt? A ishte kjo marrëveshje për të fshirë mërgatën shqiptare nga regjistrat zyrtarë? Nëse po, atëherë duhet të thuhet hapur. Mërgata meriton përgjigje dhe përgjegjësia është e pashmangshme. VLEN do të vazhdojë të ngrejë zërin për të drejtën e çdo shqiptari, në vend dhe në diasporë”shtojnë ata.

VLEN e cilëson diasporën shqiptare si “zemrën që mban gjallë ekonominë dhe shpresën e vendit”, duke akuzuar Ahmetin për përpjekje për ta zhdukur atë nga evidencat zyrtare përmes marrëveshjeve të fshehta.

“Mërgata nuk është numër për t’u fshirë, por zemra që mban gjallë ekonominë dhe shpresën e këtij vendi. Ne e çmojmë çdo sakrificë të tyre dhe jemi të përkushtuar që asnjë mashtrim politik të mos i mohojë më kontributin”, përfundon reagimi i VLEN.

Ky reagim vjen në një moment kur kontestimet për procesin e regjistrimit dhe numërimin e diasporës shqiptare po rikthehen fuqishëm në debatin politik në vend.

/tetova1

Trending