Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, gjatë vizitës së tij në SHBA, mori pjesë në një mbrëmje të veçantë kushtuar nismës për emërtimin e rrugës “Isa Boletini Way” në Nju Jork — një akt simbolik që nderon figurën e heroit kombëtar dhe identitetin shqiptar përtej Atlantikut.
Ngjarja u mbajt në “Albanian Cultural Center Staten Island”, ku morën pjesë përfaqësues të shoqatave të mërgatës shqiptare, si dhe personalitete nga rajoni, përfshirë ministrin e qeverisë së Kosovës dhe kryetarin e sapozgjedhur të Mitrovicës, Faton Peci, si dhe ministrin e qeverisë së Malit të Zi, Fatmir Gjeka.
“Në Staten Island të Nju Jorkut pata kënaqësinë të jem pjesë e një mbrëmjeje të veçantë kushtuar nismës për emërtimin e rrugës ‘Isa Boletini Way’, një akt që nderon historinë, rezistencën dhe identitetin tonë kombëtar edhe përtej Atlantikut. Së bashku me përfaqësues nga Kosova dhe Mali i Zi dëshmuam se bashkimi rreth vlerave tona kombëtare është forca që na mban të lidhur kudo që ndodhemi,” u shpreh Fetai gjatë takimit.
Ai theksoi se mërgata shqiptare mbetet një faktor i fuqishëm në promovimin e kulturës, historisë dhe miqësisë së përhershme mes shqiptarëve dhe SHBA-së.





