Pas shpalljes së zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 19 tetor, skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut është ndezur nga përplasjet mes dy blloqeve kryesore politike, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe koalicionit VLEN. Fokusi kryesor i debateve dhe akuzave është vendosur në komunën e Çairit, një nga zonat më të rëndësishme dhe simbolike për elektoratin shqiptar.
Nga radhët e BDI-së kanë lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj kandidatit të VLEN-it, Izet Mexhiti, duke e cilësuar si përgjegjës për gjendjen e mjerueshme të komunës gjatë dy dekadave të fundit. Sipas integristëve, Mexhiti ka shfrytëzuar Çairin vetëm për interesat dhe pasurimin personal, ndërsa vet jeton jashtë komunës, në Butel.
“Po të kishte pasur interes për banorët e Çairit, gjatë 20 viteve të kaluara do të kishte bërë diçka konkrete. Por realiteti është ndryshe – kemi vetëm ndërtime pa leje, legalizime të dyshimta, asnjë projekt madhor infrastrukturor dhe asnjë zgjidhje afatgjatë për problemet e përditshme të qytetarëve,” theksojnë përfaqësues të BDI-së.
Ata shtojnë se zgjedhjet e 19 tetorit duhet të shënojnë një pikë kthese për Çairin, duke i dhënë fund, sipas tyre, “epokës së ndërtimeve pa leje, krimit dhe shantazheve”.
Pritet që në javët e ardhshme fushata të ashpërsohet edhe më tej, me Çairin që mbetet një nga betejat më të forta dhe më simbolike të zgjedhjeve lokale të këtij viti.










