Trendy

Zgjedhjet lokale, Fronti Evropian nuk ka vendim se kush në cilën komunë do të garojë

Para 8 muaj

Ndonëse në parim ka një marrëveshje mes partive politike brenda Frontit Evropian për ndarjen e komunave në prag të zgjedhjeve lokale, sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Blerim Bexheti, për Alsat thotë se ende nuk ka vendim të prerë për atë se kush në cilën komunë do të garojë. Brenda Frontit, dy Aleancave thuhet se do u takojnë nga tre komuna. Krahu i Selës do të garojë në Strugë, Dibër dhe Haraçinë ndërsa krahu i Taravarit në Gostivar, Vrapçisht dhe Saraj.

“Asgjë nuk ka të konfirmuar, do të konfirmohet i tërë ekipi që do të garon dhe subjekteve që do i mbështetin kandidatët, kështu që ditëve në vijim gjithçka do të ketë. Akoma nuk ka kandidatë oficialisht për asnjë komunë ku do të garon ky front kombëtar”, tha Blerim Bexheti – Fronti Evropian.

Por a do të veprojë BDI-ja ashtu siç pati vepruar në vitin 2021, kur në qytetin e Gostivarit, pati shpallur thirrje publike për qytetarët që të kandidojnë për këshilltarë komunalë. Në prag të zgjedhjeve lokale të 2021shit, BDI pati ofruar mundësi për vetëkandidim edhe për personalitete që nuk janë pjesë e strukturave partiake. Madje kishte dhe kushte, të jenë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të jenë të aftë për punë, dhe ti respektojnë rregullat ligjore të Maqedonisë. Kandidatët duhej të paraqiteshin me ide, vizion dhe projekte për zhvillim të komunës. Kërkohej madje edhe letër motivuese.

“Tani strukturat komunikojnë me të gjithë qytetarët, me të gjithë mbështetësit dhe sigurisht se vetëm format mund të dallojnë por megjithatë është një proces shumë gjithëpërfshirës, inkluziv do të kisha thënë dhe sigurisht se ne do të japim zgjidhjet më të mira qoftë për kandidatë për kryetarë të komunave qoftë për listat e këshilltarëve që do të realizojnë programin që do t’ua premtojnë qytetarëve në komuna të caktuara”, shtoi ai

Siç njoftoi Bexheti, ndonëse ende nuk është arritur marrëveshje, ekziston mundësia që edhe për listat për këshilltarë të garojnë me lista të përbashkëta brenda Frontit Evropian. Zgjedhjet lokale, kryefjalë edhe në mbledhjen e kryesisë qendrore të BDI-së, në Tetovë./Alsat.mk

Trending