Trendy

Zgjedhjet lokale/ Kandidatët për kryetar të Gostivarit vazhduan takimet me qytetarët

Para 3 javë

Gjatë konventës promovuese në Gostivar, kandidati për kryetar komune nga radhët e VLEN, Nevzat Bejta akuzoi ish-kryetarin e Gostivarit për, siç tha, shkatërrimin e komunës. Sipas tij, gjatë mandateve të kaluara janë dëmtuar rëndë arsimi, kultura dhe sporti, duke e cilësuar këtë situatë si një padrejtësi ndaj qytetarëve të Gostivarit.

“Të gjithë qytetarët më thonë jemi të zhgënjyer dhe të revoltuar nga Taravari, për shkak se për tetë vite e ka shkatërruar dhe e ka varfëruar buxhetin e komunës së Gostivarit. E ka shkatërruar infrastrukturën, kemi rrugë të rrënuara, të mbushura plot me gropa, pastërtia ka rënë në nivelin jo normal të qytetit”, deklaroi Nevzat Bejta, kandidat për Gostivarin nga VLEN.

Ndërkohë, Kandidati i AKI-së për Gositvarin, Valbon Limani, fushatën zgjedhore e vazhdoi duke realizuar takim me banorët e Ravenit.

“Banorët e Ravenit shprehën mendimet, sugjerimet dhe shqetësimet e tyre, duke dëshmuar për angazhimin e sinqertë për një të ardhme më të mirë dhe zhvillim të përbashkët. Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi, transparence dhe respekti të ndërsjellë, ku dialogu i hapur u vlerësua si bazë për vendimmarrje të drejtë dhe projekte konkrete në interes të qytetarëve”, tha Valbon Limani, kandidat për Gostivarin nga AKI.

Në Komunën e Gostivarit, më 11 janar do të përsëriten zgjedhjet lokale, pasi në zgjedhjet e kaluara nuk u arrit pragu i nevojshëm i pjesëmarrjes. /Alsat.mk

Trending