Trendy

Zgjidhja e kaosit në hyrje të Tetovës përmes nënkalimit

Para 1 orë

Kohëve të fundit rrethrroutillimi i fundit i daljes nga Tetova për në Shkup është bërë një tmerr i vërtetë për vozitësit. Bëhet fjalë për rrethrrotullimin ku bashkohen dy bulevardet kryesore të Tetovës tek ish-Monopoli, gjegjësisht që është dalja e Tetovës për në autostradën që lidhet me Shkupin. Ky vend tashmë është pika më kritike në rrugët e Tetovës. Për një pjesë bulevard prej 800 metrave vozitësve u duhen pritje prej 30 minutave për t’u lidhur me pjesët tjera. Bllokimi i trafikut së fundi është bërë edhe për shkak të vazhdimit të Bulevardit të ri Poroj – Tetovë ku tashmë kjo rrugë shfrytëzohet me të madhe nga drejtuesit e automjeteve. Nga Komuna e Tetovës thonë se kanë zgjidhje për këtë problem dhe se nuk përjashtohet mundësia që hyrja e Tetovës të bëhet me nënkalim.

“Sipas studimit të mobilitetit, janë marrë masa edhe për zgjidhjen e udhëkryqit të dy bulevardeve. Fillimisht do të bëhet zgjerimi i Bulevardit ‘V.S Bato’ përgjatë objektit të Vero-s deri tek rrethrrotullimi, ku do sigurohet një korsi e veçantë për kthim djathtas respektivisht kyçje në Bulevardin ‘Ilirija’. Më kryesorja është projektimi i nënkalimit përgjatë Bulevardit ‘Ilirija’, prej te nënkalimi i hekurudhës deri tek tregu i gjelbërt”, thotë për gazetën Koha, Albion Alili, zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Ndërkohë, nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se arsyeja e rritjes evidente të frekuencës në atë pjesë qëndron tek vazhdimi i bulevardit drejt fshatit Poroj. “Për shkak të këtij ndryshimi infrastrukturor, një pjesë e madhe e trafikut që më parë ishte e drejtuar kah rruga ‘Ivo Llola Ribar’, tani është transferuar tërësisht në këtë drejtim rrugor, gjë që krijon një komunikacion të dendur në periudha të caktuara të ditës. Zyrtarët policorë janë vazhdimisht të pranishëm në këtë lokacion dhe kryejnë rregullimin fizik të trafikut me qëllim lehtësimin e lëvizjes. U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik për durim dhe respektim të rregullave dhe rregulloreve të komunikacionit, si dhe shenjave dhe urdhrave të dhëna nga punonjësit e policisë të cilët janë në terren, me qëllim që të ketë qarkullim të rrjedhshëm dhe të mos vijë deri te bllokimi i plotë”, deklaroi për Gazetën Koha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Më tej nga Policia e Tetovës kërkojnë zgjidhje për këtë kaos që krijohet sidomos në mesditë. Nga Policia shtojnë se për ndërhyrje tjera në rregullimin e regjimit të trafikut komptente janë institucionet tjera. “Megjithatë, vërejmë se gjetja e një zgjidhjeje të përhershme për këtë dukuri, e cila do të përfshinte ndërhyrje shtesë infrastrukturore ose ndryshime në regjimin e trafikut, është në kompetencë të institucioneve të tjera shtetërore dhe lokale. Dëshirojmë të sqarojmë se bllokimi në këtë segment nuk është shkaktuar nga automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt apo shkelje të tjera rrugore. Përkundrazi, si rezultat i ndërmarrjes së rregullt të masave dhe kontrolleve të shtuara në këtë pjesë, në vetë rrugën nuk ka fare automjete të parkuara që do të pengonin lëvizjen”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendëshme në Tetovë.

Krahas frekuentimit të veturave, kohëve të fundit dukshëm janë shtuar edhe automjetet e rënda në këtë pjesë të Tetovës që edhe më shumë e bën situatën më kritike duke shkaktuar vonesa të mëdha në trafik dhe radhë kilometrike. (koha.mk)

Trending