Trendy

Zjarr i qëllimshëm në Kisella Vodë: Djegen 20 automjete, autori ende në arrati

Para 6 muaj

Edhe pse në videon nga kamerat e sigurisë shihet qartë se zjarri i shkaktuar në servisin e automjeteve në Kisella Vodë të Shkupit, është i qëllimshëm, shkaktari vazhdon të jetë i pa kapshëm për policinë.

Dëmi i shkaktuar nga zjarri arrin në 200 mijë euro, pasi tërësisht u dogjën rreth 20 automjete, disa u dëmtuan pjesërisht dhe dy objekte afariste të pronarëve që kanë shërbyer për nevojat administrative gjithashtu janë përfshirë nga zjarri.

Sipas informatave tona, në servisin e automjeteve, disa nga automjetet kanë qenë edhe të klientëve të cilat janë dërguar për riparim. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, po ndërmerren masat për gjetjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të këtij rasti.

“Në lidhje me rastin për të cilën po pyesni, ju njoftojmë se SPB Shkup po ndërmerr të gjitha masat dhe aktivitetet për zbardhjen e plotë të rastit”, thonë nga MPB.

Nga brigada e zjarrfikësve të Shkupit thanë se menjëherë pas marrjes së raportit, ndërhynë me 8 automjete për shuarjen e zjarrit. Sipas raportit të policisë, nga ky zjarr nuk kishte persona të lënduar. Arsyet e zjarr vënies ende nuk dihen. / Alsat.mk

Trending