Një zjarr i madh ka shpërthyer pranë shëtitores përgjatë lumit Vardarit, në Karposh 4, në rrugën “Nikola Parapunov”, përcjell TV21. Po digjen barakat afër urës “Kombet e Bashkuara”. Zjarri është raportuar para orës 12.
“Zjarri në barakat e djegura (të ashtuquajturat “lepenki”) po vihet nën kontroll. Në shuarje po marrin pjesë disa automjete dhe ekipe të Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit, nën udhëheqjen e komandantit të njësisë, Zvonko Tomovski. Nuk ka informacione për persona të lënduar ose të vdekur”, thonë nga DMSH.
Në vendngjarje ka pasur edhe një fluturim të “Air Tractor”-it, i cili ka vepruar mbi zonën e përfshirë nga zjarri. Ndërkaq nga QMK thonë se po intervenojnë edhe 10 zjarrfikës me së paku 5 automjete.
“Po digjet ish-objekti i firmës “Makotekst” në rrugën Nikolla Parapunov, pranë Kejit të Vardarit te Ura e Kombeve të Bashkuara. Bëhet fjalë për një objekt të vjetër, i cili në pjesën më të madhe nuk ka funksionalitet, por në një pjesë të tij është i hapur një servis makinash, një barakë ku ka bojëra, llak dhe kimikate të tjera. Një aeroplan i DMSH-së, duke u kthyer i mbushur me ujë pas realizimit të detyrës për mbështetje në shuarjen e zjarrit në Mavrovë-Rostushë, ka vërejtur tymin e dendur nga zjarri në objektin në Karposh dhe ka hedhur ujë mbi zjarrin e objektit. Zjarrin po e shuajnë disa ekipe (10 zjarrfikës) të Brigadës me disa (5) automjete zjarrfikëse”, tha drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali.





