Zjarret që po përfshijnë rrethinat e Shkupit po zbulojnë një prapaskenë shqetësuese me të dyshuar të mitur dhe të rritur!
Pas shpërthimit të zjarrit në afërsi të fshatit Stajkovc, janë ndaluar tre fëmijë, shtetas të huaj me nënshtetësi të Britanisë së Madhe, njoftuan sot zyrtarisht nga Prokuroria Themelore Publike.
“Sipas Ligjit për drejtësinë për fëmijët, me ta është zhvilluar një bisedë, pas së cilës janë lënë të lirë. Prokuroria po vazhdon të sigurojë dëshmi lidhur me mundësinë e përfshirjes së tyre në zjarrin konkret ose në qëllimin për të kryer ndonjë tjetër vepër penale”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Rasti mbetet nën hetim të thelluar, ndërsa institucionet kompetente po ndërmarrin të gjitha masat për të përcaktuar përgjegjësinë dhe qëllimin e mundshëm të veprimeve të fëmijëve.
Ndërkohë, vetëm pak kilometra larg, një tjetër zjarr u shmang në çastet e fundit në rrugën mes Kadinos dhe Miladinovcit. Më 10 korrik 2025, në orën 15:30, zyrtarët e Njësisë Policore Intervenuese të SPB Shkup panë tym të zi dhe ndërhynë menjëherë në një deponi të egër, ku gjetën dy persona duke djegur kabllo pranë barit të thatë.
Personat janë identifikuar si I.B. (39) nga Kumanova dhe A.B. (31), të cilët janë privuar nga liria dhe janë shoqëruar në Stacionin Policor të Gazi Babës. Prokurori Publik është njoftuar për ngritjen e kallëzimit penal.
Zjarret po marrin përmasa alarmante dhe, siç po del nga hetimet, nuk janë gjithmonë aksidente – përfshirja e shtetasve të huaj dhe rasteve të qëllimshme po e shtyn sigurinë e vendit drejt një sfide të re.










