Kreu i delegacionit Iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, që u takua me zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance gjatë fundjavës ka thënë se amerikanët së shpejti do të jenë nostalgjikë për epokën e benzinës 4 dollarëshe.
“Shijoni shifrat aktuale të pompimit”-ka deklaruar në X Ghalibaf të hënën më 13.04.2026 raporton CNN.
“Me të ashtuquajturën ‘bllokadë’, së shpejti do të keni nostalgji për benzinë 4-5 dollarë”- ka shtuar ai.
Ghalibaf bashkëngjiti një fotografi të çmimeve të karburantit në Ëashington, D.C., duke përdorur si term kërkimi “pikë karburanti pranë Shtëpisë së Bardhë”.
Ai gjithashtu përfshiu një ekuacion matematikor, duke sugjeruar se rritja e çmimeve do të ishte e përbërë dhe jo-lineare.
Sipas Shoqatës Amerikane të Automobilave, çmimi mesatar kombëtar në SHBA për benzinën e zakonshme është rreth 4.12 dollarë për gallon, që nga 12 .04.2026.
Ndërkohë, më 12.04.2025 presidenti amerikan Donald Trump në rrjetin social Truth ka shkruar se, ndonëse takimi për arritjen e një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe Iranit shkoi mirë, në një pikë nuk pati marrëveshje – në atë të çështjeve bërthamore.
“Me efekt të menjëhershëm, Marina Amerikane, më e mira në botë, do të fillojë procesin e bllokimit të të gjitha anijeve që tentojnë të hyjnë apo të dalin nga Ngushtica e Hormuzit”- ka shkruar Trump.
Ai ka shtuar se në një moment do të arrihet që “të gjitha të lejohen të hyjnë, të gjitha të lejohen të dalin”, por, sipas tij, Irani nuk ka lejuar që të ndodhë diçka e tillë.
Sipas presidentit amerikan, është duke ndodhur një zhvatje dhe vendi i tij nuk e lejon atë. Trump ka thënë se do të fillojnë të shkatërrojnë minat që iranianët i kanë vendosur në ngushticë.
“Marina e tyre është zhdukur, forcat e tyre ajrore janë zhdukur, kundërajrorët dhe radarët e tyre janë të padobishëm. Khomeini dhe shumica e ‘udhëheqësve’ të tyre janë të vdekur, të gjitha për shkak të ambicies së tyre bërthamore. Bllokada do të fillojë së shpejti. Vende të tjera do të përfshihen në këtë bllokadë. Iranit nuk do t’i lejohet të përfitojë nga ky akt i paligjshëm i zhvatjes”- shkroi Trump.
Trump ka shkruar se iranianët kërkojnë para dhe, më e rëndësishmja, kërkojnë armë bërthamore. Ai ka shtuar se Amerika është gati dhe se ushtria do të “përfundojë atë pak Iran që ka mbetur”.
Pas 21-orësh negociata në kryeqytetin pakistanez, bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nuk prodhuan ndonjë marrëveshje.
Nënpresidenti amerikan, JD Vance, doli nga takimet në orët e para të 12 prillit dhe njoftoi se përderisa dialogu ishte “përmbajtësor”, Teherani refuzuar që të pranonte kushtet kyç të sigurisë të Uashingtonit.
Dështimi për të siguruar qoftë edhe një kornizë preliminare zhyt të ardhmen e stabilitetit rajonal në një pasiguri, duke i lënë të dyja shtetet në konfrontim.
“Vijat e kuqe” bërthamore
Duke folur me gazetarët pas përfundimit të bisedimeve, Vance e paraqiti ngërçin në negociata si çështje të vullnetit politik të Iranit dhe jo thjesht si një teknikalitet diplomatik.
“Jemi marrë me këtë çështje tashmë për 21 orë… kemi zhvilluar një sërë diskutimesh thelbësore me iranianët. Ky është lajmi i mirë”, tha Vance.
“Lajmi i keq është se nuk kemi arritur një marrëveshje. Dhe, mendoj se ky është një lajm shumë më i keq për Iranin sesa për ShBA”
Qëndrimi i Iranit
Qëndrimi në anën iraniane ishte një rezistencë parimore.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, shkroi në rrjetet sociale se suksesi i negociatave varej nga fakti që Uashingtoni “të përmbahej nga kërkesat e tepruara dhe të paligjshme” dhe të pranonte “të drejtat legjitime dhe interesat” e Iranit.
Baqaei i përshkroi negociatat si “intensive” që sipas tij përfshin një sërë çështjesh, përfshirë Ngushticën e Hormuzit, reparacionet e luftës dhe “përfundimin e luftës kundër Iranit”.
Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit ka nisur më 28.02.2026. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa e dronë kundër Izraelit dhe shteteve të Gjirit Persik, dhe në disa raste i ka shënjestruar forcat dhe asetet amerikane.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord më 08.04.2026 për një armëpushim dyjavor të ndërmjetësuar nga Pakistani, duke pezulluar një luftë gjashtëjavore në të cilën u vranë mijëra njerëz, është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme dhe ka shkaktuar ndërprerje të paprecedent të furnizimeve me energji në botë, raporton Reuters.
Izraeli ka mbështetur armëpushimin me Iranin, por ka theksuar se operacionet në Liban nuk përfshihen, për shkak të përplasjeve me Hezbollah.










