Klubi futbollistik Urania Baška Voda nga Kroacia ka ndarë një lajm të shkëlqyer për njërin nga talentet e tij më premtues, 12-vjeçarin Jusuf Sejfulai, i cili është përzgjedhur për fazën e radhës të kampit të Real Madridit dhe në janar do të udhëtojë drejt Madridit, shkruan tetova1
Jusuf Sejfulai është me prejardhje nga fshati Pirok i Tetovës, ndërsa së bashku me familjen jeton dhe punon në Kroaci. Ai u dallua për talentin, përkushtimin dhe paraqitjet e tij në kampin veror të Real Madridit, të mbajtur në Ploçe të Kroacisë, duke fituar mundësinë që të jetë pjesë e kampit zyrtar të klubit madrilen në Spanjë.
Sipas klubit Urania Baška Voda, Jusufi ishte ndër lojtarët që spikati më së shumti dhe për këtë arsye kaloi në fazën e ardhshme të përzgjedhjes.
Në Madrid, ai do të qëndrojë shtatë ditë në kampin stërvitor të Real Madridit, ndërsa në program është edhe ndjekja e ndeshjes së La Ligës mes Real Madridit dhe Getafes, e cila do të zhvillohet më 3 janar 2027 në stadiumin Santiago Bernabéu.
Në këtë kamp morën pjesë rreth 2.000 fëmijë, ndërsa vetëm rreth 3 për qind e tyre, afërsisht 50 deri në 60 futbollistë të rinj nga i gjithë Ballkani dhe më gjerë, u përzgjodhën për të vazhduar në fazën finale në Madrid.
Klubi ka vlerësuar se ky sukses është rezultat i punës së palodhur të Jusufit, por edhe i përkushtimit të trajnerit të tij Carević dhe stafit të Urania Baška Voda, të cilët kanë kontribuar në zhvillimin e tij sportiv.
Postimi i plotë i klubit Urania Baška Voda:
“Na vijnë edhe lajme të tjera të mrekullueshme nga kampi i Real Madridit.
Lojtari ynë, Jusuf Sejfulai, u dallua si një talent i jashtëzakonshëm dhe kaloi në fazën e ardhshme, duke siguruar udhëtimin për në Madrid.
Urime Jusufit dhe trajnerit të tij Carević.
Urime të mëdha Jusuf Sejfulait për suksesin e tij të jashtëzakonshëm!
Në kampin veror të Real Madridit, të mbajtur në Ploçe të Kroacisë, ai fitoi një vlerësim të rëndësishëm falë talentit, përpjekjes dhe përkushtimit të tij, duke u përzgjedhur mes pak futbollistëve që do të udhëtojnë në Madrid, ku do të kalojë shtatë ditë stërvitje në kampin e Real Madridit gjatë muajit janar.
Ky sukses është rezultat i punës së palodhur të Jusufit, por edhe i punës cilësore të trajnerit të tij Carević dhe klubit futbollistik Urania, i cili çdo ditë e udhëzon dhe e ndihmon të zhvillojë potencialin e tij.
Jemi krenarë për Jusufin tonë dhe trajnerin e tij dhe u urojmë shumë fat e suksese në vazhdimin e këtij rrugëtimi të mrekullueshëm sportiv. Bravo!”, përfundojnë nga klubi/tetova1.mk














