Trendy

50 milionë euro për digjitalizimin e shëndetësisë, Maqedonia kërkon teknologji dhe ekspertizë nga Gjermania!

Para 38 minuta

Maqedonia e Veriut synon modernizimin e sistemit shëndetësor përmes teknologjive gjermane, pajisjeve bashkëkohore dhe trajnimit të personelit mjekësor. Kjo ishte në fokus të vizitës së ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në Berlin.

Gjatë Forumit të Nëntë Gjermano-Evropianolindor të Shëndetësisë, Klekovski prezantoi planet për reforma, përfshirë investimin prej 50 milionë eurosh për digjitalizimin e shëndetësisë gjatë periudhës 2027–2031, në kuadër të një strategjie të hartuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Ministri zhvilloi takime me përfaqësues të kompanisë Siemens Healthineers, për modernizimin e pajisjeve diagnostikuese, me KPMG për reformat dhe digjitalizimin, si dhe me Spitalin Universitar “Charité” në Berlin për zgjerimin e bashkëpunimit dhe trajnimin e mjekëve.

“Kompanitë gjermane tashmë janë ndër investitorët kryesorë në Maqedoni. Duam që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë edhe në shëndetësi, përmes teknologjive të reja dhe edukimit të kuadrit”, deklaroi Klekovski.

Një pjesë e rëndësishme e vizitës iu kushtua edhe mjekëve nga Maqedonia që punojnë në Gjermani. Në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Berlin, ministri u takua me mjekë, stomatologë dhe studentë të mjekësisë, në prani të ambasadorit Ilber Sela.

Sipas Klekovskit, rreth 500 mjekë dhe stomatologë janë anëtarë të shoqatës së profesionistëve shëndetësorë nga Maqedonia në Gjermani, të cilët mund të kontribuojnë në transferimin e njohurive dhe përvojave në spitalet e vendit.

Gjatë qëndrimit në Berlin, ministri zhvilloi edhe takime me përfaqësues institucionalë dhe të biznesit, për të shqyrtuar mundësitë e investimeve, ndihmës teknike dhe bashkëpunimit afatgjatë në shëndetësi. (Plusinfo.mk)

Trending