Trendy

Ligji për Specialen: Çfarë pritet më tutje?

Para 7 orë

Kuvendi i Kosovës i miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan më 16 shtator me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte. Por, votimi në Kuvend nuk është edhe fundi i procesit.

 

Brenda tetë ditësh nga data e miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ligji parashihet të nënshkruhet dhe të shpallet nga presidentja e porsazgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka Pula.

 

Nëse ajo nuk vepron brenda këtij afati, ligji konsiderohet i shpallur dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

 

Flamur Hyseni, profesor i Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se vetëm pas publikimit të ligjit do të mund të vlerësohej saktësisht përmbajtja përfundimtare e ndryshimeve në të.

 

“Megjithatë, mbetet thelbësore që çdo ndryshim ligjor të jetë në përputhje me nenin 162 të Kushtetutës dhe me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës”, pohon Hyseni.

 

Por, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësojnë për REL-in se, brenda afatit prej tetë ditësh, mbetet e hapur rruga që ndryshimet në ligj të kontestohen në Kushtetuese nga palët e autorizuara, përfshirë të paktën dhjetë deputetë dhe Avokatin e Popullit, siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës.

 

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme, sepse ndryshimet prekin juridiksionin, dënimet dhe procedurat e Dhomave të Specializuara, të cilat nuk rregullohen vetëm me një ligj të zakonshëm”, thekson hulumtuesi i IKD-së, Gzim Shala.

 

Neni 162 i Kushtetutës u jep Dhomave të Specializuara status të veçantë. Çdo ndryshim ligjor, që eventualisht bie ndesh me këtë nen, mund të pretendohet si shkelje kushtetuese.

 

A e obligon automatikisht Gjykatën ligji i ri?

Ligji për Specialen, me ndryshimet e miratuara në Kuvend, parasheh, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Gjykatës në Hagë, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë, si dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

 

Ky ligj parasheh, gjithashtu, mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë, si dhe mundësinë për falje presidenciale.

 

Megjithatë, sipas Hysenit, Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe veprojnë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit të veçantë.

 

“Miratimi i ndryshimeve ligjore nuk nënkupton zbatimin e tyre automatik në procedurat gjyqësore. Ligji duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa zbatimi konkret kërkon respektimin e pavarësisë gjyqësore, hierarkisë së normave juridike dhe detyrimeve ndërkombëtare”, thekson ai.

 

Shala, ndërkaq, pohon se në rast se ligji – përfshirë edhe ndryshimet në të – shpallet, ai bëhet pjesë e rendit juridik të Kosovës dhe synon të ndryshojë kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara.

Trending