Sistemi “Safe City”, i cili sot nisi fazën e tij provuese në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, ka zbuluar një situatë alarmante në trafikun e vendit. Vetëm gjatë 12 orëve të para të funksionimit, kamerat inteligjente kanë regjistruar 65.000 shkelje, ndërsa 1.000 automjete kanë rezultuar të paregjistruara.
Sipas të dhënave të publikuara, kamerat kanë kapur mijëra parakalime të rrezikshme, tejkalime shpejtësie, kalime në semafor të kuq dhe parkime të paligjshme. Shifra më shqetësuese mbetet numri i madh i veturave pa regjistrim, që përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë rrugore.
Autoritetet theksojnë se aktualisht po vijohet vetëm me evidentim të shkeljeve, ndërsa gjobat do të fillojnë të shqiptohen nga 1 janari 2026, kur sistemi të hyjë plotësisht në fuqi.
“Safe City” synon të vendosë rend në trafik dhe të shtojë sigurinë publike në qytetet kryesore. Ndërkohë, shifrat e para tregojnë qartë se rrugët e vendit kanë nevojë për disiplinë shumë më të madhe.










