Vetëm brenda një dite dy gra në moshë 86 dhe 87 vjeç kanë deklaruar se janë mashtruar e u janë marrë shuma të mëdha parash. Në njërin nga rastet një grua 86-vjeçare nga Shkupi ka raportuar dje se është mashtruar nga një person për një shumë prej 10.000 eurosh, ndërsa në rastin tjetër për 280.000 denarë (4.500 euro), transmeton Portalb.mk.
“Personi e ka kontaktuar me telefon, është prezantuar si punonjës i policisë dhe i ka thënë se vajza e saj ka shkaktuar një aksident me automjet me pasoja fatale dhe se duhet të paguajë që atë ta lirojnë nga policia në Mal të Zi. Siç ka thënë ajo, paratë i ka tërhequr nga banka dhe i ka lënë në vendin ku i ka thënë personi në telefon”, njoftojnë nga MPB-ja.
Po të njëjtën ditë MPB-ja ka pranuar edhe një denoncim tjetër për një rast të njëjtë, në të cilin një grua 87-vjeçare nga Shkupi ka deklaruar se është mashtruar nga një person për një shumë prej rreth 4.500 eurosh.
“Sipas denoncimit, mashtruesi e ka kontaktuar me telefon dhe i ka thënë se vajza e saj ka shkaktuar një aksident me automjet me pasoja fatale dhe se duhet të paguajë që ta lirojnë. Ajo i ka tërhequr paratë nga banka dhe nga tarraca ia ka hedhur zarfin e parave”, njoftojnë nga MPB-ja.
Po merren masa për zbardhjen e të dyja rasteve.
Këto ditë edhe në rrjetet sociale ka pasur paralajmërime nga qytetarë, të cilët thonë se i kanë kontaktuar persona të ndryshëm e se kanë tentuar që tu zhvasin para. Një qytetare nga Shkupi ka dëshmuar se kur ka shkuar në stacionin policor për ta denoncuar rastin, atje ka hasur edhe në disa persona të tjerë të cilëve u kishte ndodhur e njëjta gjë.