Rikthehen ndeshjet e Ligës së Kombeve në futboll. Përfaqësuesja e Maqedonisë tashmë është akomoduar në Riga, ku nesër do të përballet me përfaqësuesen e Letonisë. Në këtë takim të përzgjedhurit e Bobi Milevskit kërkojnë fitore dhe 3 pikë, ndërsa edhe historia e përballjeve mes këtyre dy përfaqësueseve flet vetëm për fitore të Maqedonisë. Për momentin Maqedonia është e para me 4 pikë në tabelën e grupit 4 të Ligës C. Armenia dhe Letonia kanë nga 3 pikë, ndërsa Ishujt Faroe 1 pikë. Të premten edhe kombëtarja shqiptare zbret në fushë mysafire ku do të përballet me Çekinë, ndërsa të shtunën Kosova do të masë forcat me Lituaninë.
“Sigurisht që po ecim mirë sepse bota e futbollit na sheh si favorit në këtë grup. Megjithatë, ne duhet të jemi të përulur dhe të vazhdojmë të luftojmë për këtë shans, ndoshta të vetmin, për të bërë diçka të mirë. Nuk do të jetë e lehtë, jemi larg dhe sot të gjitha kombëtaret po zhvillojnë njohuritë e tyre futbollistike dhe taktike. Ne nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur, por do të analizojmë për të identifikuar pikat e tyre të dobëta dhe do të përdorim armët tona për të arritur të gjashtë pikët”, tha David Babunski, futbollist i Maqedonisë.
“Ka një ndryshim nga ndeshja në ndeshje. Asnjëherë nuk nënvlerësojmë askënd, sepse në futboll nuk ka favorit. Do të kemi qasje maksimale në Letoni dhe do të marrim tre pikët dhe më pas do t’i kthejmë të gjitha mendimet tona kah sfida me Armeninë”, shtoi Jovan Manev, futbollist i Maqedonisë.