Bota

Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në Siri

Picture of Autori

Autori

Portali Tetova

December 23, 2024, 09:12

Rënia e Qeverisë së Bashar al-Assadit nga duart e rebelëve, përfshirë atyre të mbështetur nga Ankaraja, e ka bërë Turqinë forcë të huaj mbizotëruese në Siri, në kurriz të Iranit dhe aleates së tij, Rusisë.

Turqia dhe Irani kanë garuar për vite kundër për ta shtrirë ndikimin e tyre në Kaukazin Jugor dhe duket se rivaliteti mes tyre tani ka shkuar deri në Levant.

“Republika islamike ka pasur shqetësime të jashtëzakonshme lidhur me ndikimin turk në Siri, qoftë ekonomik, politik apo ushtarak, edhe shumë kohë para rënies së Assadit. Por, me humbjen e aleatit të vetëm shtetëror të Iranit në rajon, këto shqetësime pritet të shtohen çdo herë e më shumë”, tha Behnam Taleblu, analist për Iranin në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), me seli në Uashington.

Megjithatë, ekspertët thonë se profili gjithnjë në rritje i Turqisë në Siri, në dëm të Iranit, nuk do të thotë patjetër se marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Teheranit do të preken në mënyrë të ndjeshme.

Çfarë kërkon Turqia?

Pas fillimit të luftës civile siriane në vitin 2011, Irani dhe Rusia e mbështetën Assadin, ndërsa Turqia i mbështeti grupet rebele që e kundërshtuan sundimin e tij.

Irani kishte nevojë që Assadi të qëndronte në pushtet për ta përdorur Sirinë si platformë për t’i financuar dhe armatosur partnerët dhe përfaqësuesit e vet, veçanërisht grupin libanez Hezbollah.

Për Rusinë, sundimi i Assadit ua mundësonte Moskës ta mbante bazën ajrore Hmeimim dhe bazën detare në Tartus, duke i siguruar asaj qasje më të lehtë në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Detin Mesdhe.

Nga ana tjetër, Ankaraja në Siri e donte një qeveri në më të përshtatshme me vizionin dhe politikat e saj rajonale, veçanërisht ato që do t’i frenonin grupet kurde në verilindje të Sirisë. Një koalicion partish kurde, përfshirë Partinë e Bashkimit Demokratik (PYD), udhëheq Administratën Autonome të Veriut dhe Lindjes së Sirisë.

Krahu i armatosur i PYD-së, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), i udhëheq Forcat Demokratike Siriane (SDF), të mbështetura nga SHBA-ja.

“Turqia i ka pasur tri shqetësime kryesore në Siri: luftimin e YPG/PYD, mundësimin e kthimit të refugjatëve sirianë në Siri dhe parandalimin e flukseve të mëtejshme të refugjatëve drejt Turqisë”, tha Daria Isachenko, eksperte për Turqinë në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Rënia e Assadit më 8 dhjetor ka ndalur fluksin e refugjatëve drejt Turqisë, por “dy shqetësimet e para mbeten”, shtoi Daria Isachenko.

Siria tani kontrollohet praktikisht nga organizata e shpallur terroriste nga SHBA-ja, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), dhe aleatët e saj – disa prej të cilëve janë të lidhur me Turqinë, rivalin e Iranit.

Isachenko thotë se ndikimi në rritje i Turqisë në Siri mund ta forcojë edhe më tej pozicionin e Ankarasë në Detin Mesdhe, nëse Turqia e nënshkruan një marrëveshje detare në stilin e Libisë me autoritetet e reja në Damask.

Rruga përpara

Rritja e prestigjit të Turqisë dhe dobësimi i pozicionit të Iranit në Siri mund të kenë pasoja për zhvillimet në Kaukazin e Jugut, ku Irani, Rusia dhe Turqia luftojnë për ndikim.

Ekspertët thonë se derisa bisedimet në Astana – një format i sponsorizuar nga këto tri vende për t’i dhënë fund konfliktit në Siri – mund të kenë dështuar, ato prapëseprapë shërbyen si një platformë për menaxhimin e interesave të ndryshme.

“Koordinimi dhe konsultimi për menaxhimin e konflikteve midis Turqisë dhe Iranit, si dhe Rusisë, në Lindjen e Mesme dhe Kaukazin e Jugut nuk duhet përjashtuar”, tha Daria Isachenko.

Ajo shtoi se edhe në Siri, Turqia dhe Irani mund të gjejnë disa interesa të përbashkëta, si për shembull gjetja e një kundërshtari të përbashkët si Izraeli, i cili ka hyrë në territorin sirian menjëherë pas rënies së Assadit.

Megjithatë, disa argumentojnë se Teherani do të përpiqet ta minojë ndikimin e Turqisë në Siri, me shpresën për ta shndërruar vendin në të ashtuquajturin “bosht i rezistencës” – rrjeti i lirë i aleatëve dhe përfaqësuesve rajonalë të Iranit.

“Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike do të kërkojë mënyra për ta kthyer ndikimin në Siri”, tha Behnam Taleblu nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive (FDD).

Çështja kurde

Mbështetja e SHBA-së për Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, është dobësuar vitet e fundit për shkak të një kombinimi faktorësh, përfshirë tërheqjen e shumicës së trupave amerikane në vitet 2018 dhe 2019 dhe presionin nga aleati i NATO-s, Turqia.

Ankaraja, e cila kreu një inkursion në Sirinë veriore në vitin 2019 kundër forcave kurde, tani është në një pozicion të fortë për të sfiduar më tej kurdët, thonë ekspertët.

Që nga rënia e Assadit, grupet rebele të mbështetura nga Ankaraja janë përplasur me forcat kurde dhe kanë marrë qytetet Manbij dhe Tarafat, të cilat më parë ishin nën kontrollin kurd pranë kufirit me Turqinë.

Wladimir van Wilgenburg, një analist me bazë në Kurdistanin irakian, i cili është bashkautor i librit për kurdët sirianë, thotë se prania e 900 trupave amerikane që kanë mbetur mund të ofrojë një farë lloj mbrojtjeje për kurdët, por situata mbetet e pasigurt.

“Administrata e re në Damask ka gjasa të parapëlqejë marrëdhëniet me Turqinë e jo me SDF-në”, tha ai.

“Situata është e vështirë për kurdët, përveç nëse arrijnë një marrëveshje me HTS”, sipas tij.

Lideri i HTS-së, Ahmad al-Sharaa, i njohur më parë me emrin e luftës Abu Muhammad al-Jolani, dëshiron t’i bashkojë të gjitha grupet e armatosura në Siri nën një flamur të vetëm. Por, nëse SDF-ja do të bashkohej, kjo do të ishte fundi i autonomisë kurde në Siri, thotë Wilgenburg./REL

Tetova1 në Youtube

Mos e humb

IMG_3155
UEFA Champions/ Shorti i play-offit, Real Madridi – Manchester City
IMG_2744
Zyrtare: Fabrice Tamba nënshkruan me Shkëndijën e Tetovës
IMG_2170
Musa Selimi, njeriu i sukseseve të mëdha
IMG_1970
Kristiano Ronaldo, një makineri e golave që s’ka të ndalur
IMG_1558
Shqiptari i Gostivarit hedh hapat e parë si trajner në futbollin Gjerman (FOTO)

Më shumë nga kategoria

IMG_1970
Kristiano Ronaldo, një makineri e golave që s’ka të ndalur
IMG_1558
Shqiptari i Gostivarit hedh hapat e parë si trajner në futbollin Gjerman (FOTO)
IMG_1237
Klube të mirënjohura synojnë transferimin e Edon Zhegrovës
IMG_1188
Enis Bardhi largohet nga Trabzonspori, ekipi i ndau plakatë mirënjohjeje
IMG_9346
Broja luan titullar në humbjen e Everton, Manchester City rikthehet te fitorja
IMG_8466
Skenë e papranueshme në Tiranë, bokseri serb del në ring me këngë anti-Kosovë
IMG_8352
Masar Omeragiq zyrtarisht kryetar i ri i FFM-së: Nga nesër fillojmë me punë intensive
IMG_8293
Sot zgjedhjet kryetari i ri i FFM-së
IMG_3803
Pacientja në Spitalin “8 Shtatori” në Shkup thotë se është sulmuar nga mjeku! MPB: Edhe mjeku thotë se e ka sulmuar pacientja
IMG_3801
Murtezani: Nga pala bullgare kanë ardhur mesazhe se janë të gatshëm për dialog
IMG_3794
Disa qen endacak e kanë ndjekur gjermanin në rrugën e Banjës në Tetovë, është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime trupore
IMG_3792
Fronti Europian kërkon zgjedhje të parakohshme! Bexheti: VLEN të frikësuar, shërbëtorë ishin dhe të tillë mbesin!
IMG_3790
Kallëzim penal ndaj të riut nga Shkupi, Policia: I kemi gjetur pushkë automatike AK-47
IMG_3789
Dy herë në ditë do të mund të udhëtoni me tren në relacionin Shkup-Kumanovë dhe anasjelltas