A mund të kaloni me makinë në rrugën përpara qendrës tregtare East Gate e të mos bini në një nga gropat e shumta e të mëdha që janë krijuar aty?
Vetëm në një gjatësi prej 50 metrash gjetëm 5 gropa.
Kjo është vetëm një nga gropat, në një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit, pranë rreth rrotullimit, që lidh Bulevardin “Bellasica” me Bulevardin “Aleksandri i Madh”.
Vetëm makinat që kalojnë për herë të parë këtu, nuk janë të njoftuara me gjendjen e rrugës dhe bien pre e këtyre ‘kurtheve’.
Për qytetarët gjendja e kësaj rruge është e zakonshme, thonë se gropa ka gjithandej. Me një shofer taksie që biseduam, tregoi se rruga në këtë vend është e shkatërruar më shumë tre muajt e fundit dhe apeloi te institucionit që ta sanojnë, ngaqë siç tha çdo dy javë duhet të dërgojnë makinat në mekanik.
TV21 dërgoi pyetje në Qytetin e Shkupit, për të pyetur nëse do të ndërmarrin hapa për të rikonstruuar këtë pjesë të Bulevardit Bellasica, por prej atje pa përgjigje.