Nga takimi me qytetarët në Kaçanik, kryeministri dhe kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se i nevojitet fitore e madhe si asnjëherë më parë me qëllim realizimin e të gjitha premtimeve. Kurti foli edhe për investimet dhe rritjen e buxhetit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Tha se gjeografinë e historinë s’mund ta ndryshojmë por si shtet duhet të bëhemi të fortë duke pasur parasysh se për komshi kemi Serbinë
“Do të bëjmë investime në industri ushtarake. E kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, e kemi trefishuar buxhetin për mbrojtje, i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit por do ta bëjmë edhe fabrikën e municionit që kurrë më të mos ketë mungesë për ushtrinë tonë që na mbron vendin tonë cep më cep. Unë si demokrat e socialdemokrat nuk kisha dashtë me shpenzuar buxhet në ushtri, mirëpo kur e ki kojshinë e keq, duhet me u bë më i fortë, e ne e kemi një kojshi të keq, gjeografinë e historinë s’mund ta ndryshojmë, por mund ta ndryshojmë të ardhmen duke u forcuar në të tashmen në mënyrë që fëmijët dhe rinia kurrë më të mos përjetojnë luftërat, e vuajtjet, e humbjet e pikëllimet që i ka përjetuar brezi ynë dhe brezat para neve”, deklaroi Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes. /Alsat.mk