Hyn në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë. Teksa, Izraeli nuk i ndali sulmet deri në minutat e fundit të nisjes së armëpushimit, duke lënë të vrarë të paktën 8 vetë, pasi vendimi u vonua për disa orë. Sipas Hamasit, vonesa u bë për arsye teknike në terren. Megjithatë, gëzimi në sytë e palestinezëve nuk u shua. Qindra palestinezë festuan nisjen e armëpushimit në enklavë.
Dhjetëra kamionë dhe ambulanca që transportojnë ndihma humanitare hynë në enklavë. Marrëveshja e armëpushimit kërkon 600 kamionë ndihma për të hyrë çdo ditë. Mijëra banorë palestinezë të zhvendosur filluan të kthehen në shtëpitë e tyre. Edhe pse shumica e ndërtesave janë shkatërruar, banorët janë shprehur se do të jetojnë në tenda, mjafton të jenë në lagjet e tyre dhe të ndiejnë tokën e tyre.
“Ne duam të ulemi në tokë midis varreve atje. Ne duam të ngremë një tendë dhe të vendosemi. Jeta ime është shkatërruar plotësisht dhe është bërë një katastrofë”, tha Ma’zoza El-Shadi’i, banor.
“Ne kemi nevojë të madhe që kjo vuajtje të ndalet, të ndalojë frikën, vrasjen, zhvendosjen, shkatërrimin dhe gjakderdhjen dhe të kthehet në jetesën në siguri dhe të kthehet në vendin dhe shtëpinë tonë, edhe nëse është shkatërruar. Ne jemi gati të vendosim tendat tona atje dhe të jetojmë atje dhe të kthehemi në lagjen tonë”, tha Ne’man Abu Jarad, banor.
Ministri i Jashtëm izraelit tha se edhe pse nisi armëpushimi, Izraeli nuk e ka përmbushur objektivin e tij për çmontimin e aftësive ushtarake dhe qeveritare të Hamasit.
“Ajo që arrijmë tani fazën e parë, është një ndërprerje e përkohshme e zjarrit. Nëse komuniteti ndërkombëtar dëshiron të kontribuojë në një armëpushim të përhershëm, kjo duhet të përfshijë çmontimin e pushtetit ushtarak të Hamasit dhe çmontimin e aftësive qeveritare të Hamasit. Ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë”, tha Gideon Saar, ministër i Jashtëm i Izraelit.
Marrëveshja e armëpushimit parasheh dhënien fund të luftës shkatërruese 15-mujore dhe lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë. Pakti parasheh që shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, parashihet rritje e ndihmave humanitare për Gazën. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Mbi 90 për qind e popullsisë është zhvendosur./Alsat.mk