28-vjeçari me iniciale A.M. nga Shkupi për TV21 thotë se është rrahur në mënyrë brutale nga policia. Ai thotë se është rrahur në territorin e Shutkës, deri sa po zhvillohej një aksion policor. Shton se nuk ka lidhje me personat që po kërkonte policia, ndërsa thekson se Sektori për Punë të Brendshme nuk po ia dokumenton rastin.
Ngjarja ka ndodhur në një aksion policor në hyrje të lagjes “Shuto Orizare”. I dëmtuari A.M. thotë se doli në lagje pasi dëgjoi zhurma, për të parë se çfarë po ndodhte. Ai thotë se është kapur nga dy policë në uniformë me maska dhe një polic civil, të cilët, thotë se e kanë rrahur brutalisht dhe pastaj i kanë thënë të kthehet në shtëpi.
Nëna e të dëmtuarit për TV21 tha se ka vrapuar pas djalit që ta shpëtojë nga duart e policisë, por që sa ka zgjatur aksioni, siç thotë ajo, krejtësisht për persona tjerë në lagje, nuk është lejuar as ndihma shpejtë ti vijë në ndihmë.
Pas një orë nga rrahja, nëna H.I. thotë se autoambulanca nuk i ka shkruar raport që djali i saj është rrahur nga persona zyrtar, siç është bërë deklarimi.
Ajo thotë se të nesërmen rastin e kanë paraqitur në Stacionin Policorë të Butelit, por nga atje nuk kanë marrë raport policor për të dokumentuar rastin.
TV21 kontaktoi edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për rastin në fjalë. Më tepër informacione në lajmet e TV21.