Kryetari i Saborit kroat, Gordan Jandrokoviq sot u prit në Shkup nga homologu i tij në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi. Jandrokoviq u prit me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Jandrokoviq zhvilloi takim tet-a-tet me Afrim Gashin.
Kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Jandrokoviq do të flasë para deputetëve në kuadër të seancës së sotme të 37-të.
Ai do të takohet edhe me Bllagica Lasovska, kryetare e Grupit parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kroacisë dhe me anëtarët e grupit.
Për shkak të vizitës së kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, sot dhe nesër në zonën e gjerë qendrore të qytetit të Shkupit do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit.
“SPB Shkup njofton qytetarët e Shkupit se nga data 05.03.2025 deri më 07.03.2025 (e mërkurë, e enjte dhe e premte) për shkak të vizitës zyrtare të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kroacisë Gordan Jandrokoviq, Njësia për Siguri në Komunikacionin Rrugor të RMV Shkup do të ndërmarrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit në rrugët në zonën më të gjerë qendrore të qytetit të Shkupit”, informojnë nga MPB-ja.
SPB Shkup apelon që qytetarët të respektojnë urdhrat e dhëna nga nëpunësit policorë.