Festimet për Vidovdanin në Gazimestan janë shoqëruar me tensione dhe masa të shtuara sigurie nga autoritetet e Kosovës. Gjatë tubimit tradicional serb në afërsi të monumentit të Gazimestanit, disa pjesëmarrës janë penguar të futen brenda rrethojave me flamuj serbë, për shkak të rregullave në fuqi mbi simbolet dhe manifestimet publike.
Pasi u grumbulluan pranë monumentit, pjesëmarrësit nisën të bëjnë thirrje në kor si “Kosova është Serbi” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”, duke krijuar një atmosferë të tensionuar në vendngjarje. Sipas burimeve nga terreni, të paktën një qytetar është ndaluar nga Policia e Kosovës për shkak të sjelljes së tij gjatë manifestimit.
Policia e Kosovës ka qenë e pranishme me njësi të shumta në zonë dhe ka bërë thirrje publike për ruajtje të rendit dhe shmangie të provokimeve. “Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangin çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë,” thuhet në komunikatën zyrtare të lëshuar nga institucionet e sigurisë.
Një ditë para zhvillimit të ceremonisë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi për rrezik të mundshëm provokimesh dhe incidenteve të organizuara nga autoritetet serbe, me qëllim zhvendosjen e vëmendjes nga protestat që po zhvillohen në Beograd. “Sipas vlerësimeve të institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv,” tha Kurti, duke shtuar se grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë mobilizuar për të marrë pjesë në ngjarje.
Ai theksoi se tradicionalisht, grupe të tilla kanë shfaqur simbole nacionaliste serbe dhe ruse, që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me vlerat demokratike evropiane.
Vidovdani është një festë me rëndësi të veçantë për komunitetin serb dhe përkujton Betejën e Kosovës të vitit 1389. Ceremonitë nisin me meshë në Manastirin e Graçanicës dhe më pas vijojnë në Gazimestan, në periferi të Prishtinës. Edhe këtë vit, autoritetet e sigurisë kanë marrë masa shtesë për të garantuar mbarëvajtjen e manifestimeve dhe shmangien e çdo përplasjeje eventuale.










