Trendy

“Krimi politik i regjistrimit” – VLEN i hedh akuza të rënda BDI-së për tradhti ndaj shqiptarëve!

Para 9 muaj

Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të BDI-së gjatë më shumë se 20 viteve në pushtet, duke e akuzuar atë për politika destruktive që kanë sjellë boshatisje dhe ikje masive të shqiptarëve nga vendi. Sipas VLEN-it, regjistrimi i popullsisë në vitin 2021 u përdor si mjet për të minuar realitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ndërsa drejtuesit e BDI-së kanë zgjedhur të heshtin përballë asaj që ata e konsiderojnë një krim politik.

Në reagim, VLEN thekson se populli shqiptar pret përgjigje të qarta lidhur me pranimin që diaspora shqiptare të trajtohet si “jorezidente”, pavarësisht se ajo mban gjallë ekonominë dhe mbështet familjet në vend me sakrifica të mëdha. Koalicioni premton se do të vazhdojë ta zbardhë të vërtetën për këtë proces që, sipas tyre, është shndërruar në një mashtrim dhe tradhëti poshtëruese ndaj shqiptarëve.

Shembuj konkretë të manipulimit janë evidentuar në rrethin e Strugës, ku në disa fshatra rezulton se kanë votuar më shumë persona sesa sa janë regjistruar banorë, si në Ladorisht, Veleshtë dhe Livadhi.

VLEN kërkon sqarime të thella dhe i adreson BDI-së disa pyetje kyçe:

Pse u pranua një metodologji që ul numrin e shqiptarëve në vend?

Pse nuk u mbrojt kontributi i diasporës shqiptare?

Pse u nda diaspora shqiptare jashtë vendit nga pjesa tjetër e kombit?

Koalicioni paralajmëron se këto pyetje nuk janë thjesht kërkesa për shpjegime, por akuza që rëndojnë mbi ata që përdorën regjistrimin për interesa partiake dhe njofton se nuk do të ndalen së zbuluari të vërtetat e fshehura me mashtrime. Ky është vetëm fillimi i një procesi që VLEN do ta ndjekë me vendosmëri.

Trending