Drejtori i Spitalit Indonezian në Gaza, Dr. Marwan Sultan, është vrarë nga një sulm ajror izraelit ndaj shtëpisë së tij në qytetin Gaza bashkë me disa anëtarë të familjes, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi.
Kjo ministri tha se mjeku Sultan kishte një karrierë të gjatë në mjekësi dhe e dënoi “këtë krim të neveritshëm kundër kuadrit tonë mjekësor”, raporton televizioni BBC.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur një “terrorist kyç” të Hamasit në zonën e Qytetit Gaza dhe se ishin duke u analizuar pretendimet se si rezultat i sulmit janë lënduar “civilë të papërfshirë”.
Ndërkohë, të paktën pesë njerëz u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, përfshirë disa fëmijë, nga një sulm në “zonën e sigurt” al-Mawasi, në njërin nga disa sulmet e raportuara nga agjencitë e lajmeve.
Dr. Sultan ishte drejtor i Spitalit Indonezian, i shpallur jashtë funksionit nga Ministria e Shëndetësisë pas atyre që OKB-ja më vonë i përshkroi si “sulme të përsëritura izraelite dhe dëm i pandërprerë strukturor”.
Ushtria izraelite kishte thënë se po luftonte kundër “objekteve të infrastrukturës terroriste” në atë zonë.










