Trendy

BDI dhe Taravari nën vëmendje, nis kontrolli i licencave për kanabisin mjekësor – Çfarë pritet nga hetimet?

Para 9 muaj

Qeveria pritet të nisë shumë shpejt një shqyrtim të thelluar të licencave të dhëna për përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore, pas një valë skandalesh ku sasi të mëdha kanabisi kanë përfunduar në tregun e zi, jo në spitale. Rasti më flagrant ishte kapja e mbi 100 kilogramëve kanabis në Strumicë.

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se opinioni do të mësojë së shpejti se cilët ministra, nga cilat parti dhe cilat kompani janë përfshirë në dhënien e këtyre licencave. Ai bëri të ditur se bëhet fjalë për ministra nga LSDM, BDI, krahu i Ziadin Selës dhe krahu i Arben Taravarit të Aleancës për Shqiptarët. “Opinioni do të dëgjojë shumë për veprimet e Qeverisë LSDM-BDI në lidhje me dhënien e licencave për kanabisin dhe rolin e ministrave të Shëndetësisë,” deklaroi Mickoski.

Ish-ministra të opozitës aktuale kanë lënë gjurmët e tyre në dosjet e dhënies së licencave, ndërsa prokuroria po heton raste ku kompanitë e licencuara janë kapur duke shpërndarë drogë në tregun ilegal. Industria e kanabisit ishte kryesisht e përqendruar në rajonet me ndikim të BDI-së, përfshirë Pollogun. Nga 100 kompani të licencuara, disa janë mbyllur, por të tjerat kanë vazhduar aktivitetin e dyshimtë deri në ndërhyrjen e policisë.

Pyetja që ngrihet tani është nëse ndonjë nga ish-ministrat e opozitës shqiptare do të përfundojë në burg për këtë aferë. Hetimet janë në zhvillim e sipër, por një gjë është e qartë: opozita aktuale me në krye BDI-në ka lënë pas një trashëgimi të errët në një industri që kishte për qëllim të ishte humane dhe jo kriminale.

Trending