Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj qeverisë izraelite, duke e akuzuar për minimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.
“Politikat gjithnjë e më agresive të Izraelit nën administratën aktuale po kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit,” – deklaroi Erdogan gjatë fjalimit të tij në samitin e 17-të të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik (ECO), që u mbajt në qytetin Khankendi të Azerbajxhanit.
Duke iu referuar ofensivës izraelite në Gaza, presidenti turk shtoi:
“Ne nuk mund ta braktisim kauzën palestineze dhe as të heshtim ndërsa qeveria Netanyahu e kthen rajonin tonë në një masakër.”
Në vijim të fjalës së tij, Erdogan u ndal edhe te zhvillimet në Afganistan, duke theksuar nevojën për një përkushtim të përbashkët ndaj stabilitetit dhe zhvillimit të këtij vendi:
“Ne besojmë se duhet të mbështesim sigurinë, paqen dhe zhvillimin e njerëzve në Afganistan.”
Presidenti turk bëri gjithashtu thirrje për forcimin e lidhjeve me turqit qipriotë, duke përmendur bashkëpunimin në fusha si sporti, kultura, ekonomia dhe turizmi.
Në fund të fjalimit, Erdogan adresoi edhe çështjen e energjisë së pastër, duke prezantuar Planin Kombëtar të Veprimit për Efiçiencën e Energjisë 2024–2030, me të cilin Turqia synon një ulje prej 100 milionë tonësh të emetimeve ekuivalente të dioksidit të karbonit në periudhën në vijim.
Trending







