Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se Qeveria po shqyrton mundësinë e vendosjes së taksave shtesë për personat e pamartuar, duke hapur një debat të gjerë në opinionin publik mbi të drejtat dhe barazinë qytetare.
Në reagim ndaj kësaj deklarate, Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi ka shprehur shqetësim të thellë, duke vlerësuar se një masë e tillë përbën kërcënim për të drejtat themelore të njeriut, si dhe për parimet e barazisë dhe lirisë së zgjedhjes.
Duke shtuar se stili i jetesës nuk mund të jetë bazë për taksim. Në një shtet demokratik dhe bashkëkohor, martesa duhet të jetë një zgjedhje e lirë, jo një detyrim tatimor.
Më tej theksohet se një politikë e tillë do të përbënte regres në aspektin e të drejtave dhe lirive themelore, duke cenuar të drejtën për jetë private dhe familjare, të drejtën për të planifikuar stilin e jetesës, si dhe për të zgjedhur në mënyrë të lirë statusin personal.
“Shkel të drejtat e njeriut, përkatësisht të drejtën e zgjedhjes, të drejtën për jetë private dhe familjare, si dhe të drejtën për planifikimin e familjes, stilin e jetesës, statusin familjar dhe të ardhmen,” përfundon reagimi.
Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi i bën thirrje qeverisë të tërhiqet nga çdo iniciativë që mund të çojë në ndëshkimin fiskal të individëve mbi bazën e statusit personal apo zgjedhjeve jetësore, duke e konsideruar këtë si të papranueshme në një shoqëri demokratike dhe respektuese të të drejtave të njeriut.
Trending










