Një tjetër goditje e rëndësishme ndaj mafias shqiptare është regjistruar në Ekuador. Pas arrestimit të bosit të trafikut të drogës, Dritan Gjika, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Policia dhe Ushtria ekuadoriane sekuestruan tre tonë kokainë në një fermë në Chongón, një zonë pranë Guayaquil, më 3 korrik 2025.

Sipas autoriteteve vendase, droga ishte fshehur në një fermë bagëtish, e cila dyshohet të jetë një nga kompanitë fasadë që mafia shqiptare përdor për aktivitetet e saj kriminale në vend.
Droga u gjet në pako drejtkëndëshe dhe në një kamion të ngarkuar me banane, gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte.
Ky arrestim dhe sekuestrim përbëjnë një goditje të rëndësishme në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe tregojnë vazhdimësinë e aktivitetit të mafias shqiptare jashtë kufijve të rajonit.











