Zjarret që kanë përfshirë disa zona të Maqedonisë së Veriut kanë shënuar viktimën e dytë. Një person ka humbur jetën pranë një vatre zjarri në afërsi të fshatit Lozanovë, në komunën e Kriva Pallankës.
Sipas informacioneve zyrtare, trupi i pajetë është zbuluar sot nga zyrtarë të SPB Kriva Pallankë. Në vendngjarje ka dalë prokurori publik, i cili po udhëheq hetimin për të përcaktuar rrethanat e vdekjes.
Ky rast rëndon bilancin e pasojave nga zjarret në vend, teksa autoritetet vazhdojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të vatrave të shumta që kanë shpërthyer në zonat rurale, të përkeqësuara edhe nga temperaturat e larta dhe erërat e forta.










