Trendy

Zbulohet motivi i vrasjes së oficerit të ARM-së në Batincë – i dyshuari në arrati, i lidhur me një tjetër krim

Para 9 muaj

Policia ka zbuluar motivin prapa vrasjes së oficerit të ARM-së, Agim Muaremi, 50 vjeç, që ndodhi sot në fshatin Batincë të Shkupit. Sipas hetimeve paraprake, vrasja është kryer nga Musa Xhavit (M. Xh.), tashmë i njohur për autoritetet si i përfshirë në një vrasje tjetër dhe një tentativë për vrasje, gjithashtu në Batincë.

Sipas dëshmive, Xhavit kishte pasur mosmarrëveshje personale me viktimën, pasi Muaremi nuk kishte pranuar që një i afërm i tij të lidhej me një person të botës së krimit – çka kishte shkaktuar kërcënime të mëparshme nga ana e të dyshuarit. Sot, ai e ka pikasur Muaremin brenda një veture të llojit Kia dhe e ka qëlluar me armë zjarri.

Musa Xhavit, i cili më parë ka vuajtur dënim për posedim të paligjshëm të armëve në burgun e Shuto Orizarit, ishte përfshirë edhe në një skandal për leje dalje të paligjshme, çështje për të cilën është akuzuar edhe ish-drejtori i burgut, Filip Andov – Sokol. Pas lirimit nga burgu vitin e kaluar, Xhavit dyshohet se mori pjesë në një vrasje tjetër në korrik të vitit 2024 dhe prej atëherë ka qenë në arrati.

Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka reaguar përmes një deklarate zyrtare:
“Shprehim keqardhje të thellë për familjen e të ndjerit. Gjatë ngjarjes tragjike, i ndjeri nuk ishte në detyrë, por ishte duke shfrytëzuar një ditë të lirë.”

Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë forcat policore dhe policia ushtarake. Prokuroria konfirmon se është bërë ekspertiza në vendin e krimit dhe se i dyshuari është identifikuar, por ende ndodhet në arrati. Kërkimet për kapjen e tij janë intensifikuar.

Trending