Emri i Viktor Petrushevskit, ish-drejtor i “Aeroporteve të Maqedonisë”, përmendet në materialet e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj Fatmir Sheholit, të akuzuar për spiunazh dhe shantazh.
Petrushevski nuk është emër i panjohur në institucionet shtetërore. Në gusht të vitit 2017 ai u emërua drejtor i atëhershëm i SHA për Shërbime Aeroportuale “Aeroportet e Maqedonisë”, shoqëri në pronësi shtetërore.
Emërimi i tij ndodhi gjatë periudhës kur në pushtet ishte koalicioni LSDM-BDI, me Zoran Zaevin kryeministër dhe BDI-në pjesë e qeverisë.
Sipas materialeve të aktakuzës së publikuara në mediat kosovare, Petrushevski kishte komunikuar me Fatmir Sheholin në dhjetor të vitit 2024. Prokuroria pretendon se Sheholi kishte ndërmarrë hapa për organizimin e një takimi mes Petrushevskit dhe Bojan Dimiqit, të cilin autoritetet kosovare e identifikojnë si zyrtar të BIA-s.
Në materialet e aktakuzës përmendet edhe një kontakt i ruajtur si “Viktor Maqedonia”, të cilin mediat kosovare e lidhin me Viktor Petrushevskin. Sipas aktakuzës, Sheholi i kishte dërguar këtij kontakti një dokument të shënuar “Top Secret 2”.
Megjithatë, Petrushevski i mohon çdo lidhje me ndonjë rrjet të inteligjencës. Për TV Alsat ai ka deklaruar se komunikimi me Sheholin kishte të bënte me biznes dhe se nuk ishte në dijeni për lidhjet e tij të pretenduara me shërbimet serbe.
Petrushevski ka shërbyer edhe si këshilltar i kryeministrit Zoran Zaev për vetëqeverisjen lokale, ndërsa në vitin 2017, para emërimit në “Aeroportet e Maqedonisë”, ishte anëtar i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së.
Rasti i Fatmir Sheholit aktualisht është në procedurë gjyqësore në Kosovë. Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon atë për spiunazh dhe shantazh, ndërsa seanca e parë është caktuar për 7 shtator.











