Sot në vazhdimin e seancës së 59-të, deputetët e Kuvendit të Republikës miratuan me 64 vota “pro”, pa asnjë votë kundër apo të përmbajtur, Ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për automjete me procedurë të shkurtuar.
Ky ndryshim ligjor synon të lehtësojë procesin e regjistrimit të automjeteve, duke iu dhënë stacioneve të kontrollit teknik mundësinë të leshojnë vërtetim për një automjet të regjistruar, bazuar në kritere të përcaktuara më parë. Automjeti i regjistruar do të identifikohet me vulën në lejën e qarkullimit, ndërsa regjistrimi do të mund të kryhet në të gjithë territorin e vendit dhe jo vetëm në afërsi të vendbanimit, siç ishte rasti më parë.
Deputetët gjatë pjesës së pasditës zhvilluan vazhdimin e disa seancave të mëparshme, përkatësisht të seancave 43, 51, 55, 59 dhe 60.
Në kuadër të seancës së 60-të, ata përfunduan debatin e përgjithshëm mbi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Policinë në lexim të parë dhe e dërguan atë për shqyrtim të mëtejshëm në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri dhe Komisionin legjislativ-juridik.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, shpjegoi se ndryshimet në Ligjin për Policinë nuk janë të gjera, por janë të rëndësishme dhe përfaqësojnë një vazhdimësi logjike të Ligjit të ri për Punët e Brendshme, duke siguruar harmonizim me konceptin e ri të organizimit dhe menaxhimit në polici.










