Forcat amerikane kanë kryer një operacion të suksesshëm dhe të koordinuar në provincën Alepo të Sirisë, duke eliminuar një nga figurat më të rrezikshme të organizatës terroriste Shteti Islamik (IS). Lajmi është konfirmuar nga Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM), të premten, raporton Radio Evropa e Lirë.
Sipas deklaratës zyrtare të CENTCOM-it, në bastisjen precize është vrarë Dhiya Zawba Muslih al-Hardani, një udhëheqës i nivelit të lartë i ISIS-it, së bashku me dy djemtë e tij të rritur, të cilët gjithashtu ishin të përfshirë në veprimtari terroriste.
“Këta pjesëtarë të IS-it përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për forcat amerikane, aleatët e koalicionit dhe për Qeverinë e re siriane,” thuhet në komunikatën zyrtare.
Gjatë operacionit, tri gra dhe tre fëmijë ndodheshin në vendin e ngjarjes, por, sipas ushtrisë amerikane, nuk ka të lënduar në mesin e tyre – një detaj që nënvizon precizionin dhe profesionalizmin e operacionit amerikan.
ISIS-i, i cili doli në skenë gjatë luftës civile në Siri dhe për vite me radhë kontrolloi territore në Siri e Irak, ka pësuar humbje të mëdha në terren. Megjithatë, SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të kryejnë operacione strategjike për të penguar çdo tentativë të ringritjes së këtij grupi ekstremist.
Ky operacion përbën një tjetër mesazh të qartë: asnjë lider terrorist nuk është i sigurt, pavarësisht ku fshihet.










