Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka reaguar fuqishëm lidhur me spekulimet dhe debatet rreth Kalasë së Shkupit, duke dhënë një mesazh të prerë:
“Nuk do të ketë ndërtime në Kalanë e Shkupit!”
Në një status publik, ai kujton përpjekjen për ndërtimin e kishës në vitin 2011:
“Përpjekja për ndërtimin e kishës në vitin 2011 u ndal nga aktivistët, dhe që atëherë Kalaja u la pas dore.”
Sot, Kalaja po rikthehet në fokus si pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetit:
“Sot, ajo po pastrohet dhe hapet për qytetarët e turistët, si një monument i trashëgimisë kulturore.”
Mexhiti thekson se Qeveria po vepron me kujdes për të ruajtur paqen ndëretnike dhe për të shmangur përplasjet:
“Qeveria po vepron institucionalisht për të shmangur konfliktet ndëretnike dhe për të mbrojtur trashëgiminë.”
Ai e quan Kalanë simbol të keqpërdorimeve politike të së kaluarës:
“Kalaja është dëshmi e politizimit dhe abuzimeve të së kaluarës, por nuk do të lejohet më të përdoret për qëllime politike apo ndarje.”
Në një kritikë të ashpër ndaj klasës politike që e ka shfrytëzuar këtë simbol për interesa personale, ai shkruan:
“Sot Kalaja është fytyra e turpit të atyre politikave dhe politikanëve që, për të mbajtur pushtetin janë të gatshëm të lejojnë çdo poshtrim.”
“Gjendja në të cilën ndodhet ky monument sot është rikujtim se politikanët e të shkuarës e përdorën atë si trampolinë që disa njerëz të futen në politikë si klandestinë, jo si ofertë serioze.”
Në fund, Mexhiti jep një zotim të qartë për të ardhmen:
“Kalaja do të rikthehet në një hapësirë dinjitoze që pasqyron barazinë dhe identitetin multietnik të qytetit.”
“Rrini rahat, ndërtime politike në Kala nuk do të ketë!”










