Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka reaguar ashpër pas vendimit të Arben Taravarit për të bashkëpunuar me BDI-në në zgjedhjet lokale të ardhshme, duke e cilësuar këtë veprim si “mashtrim politik” dhe braktisje të parimeve të përbashkëta të opozitës shqiptare.
Sipas Ibrahimit:
“Gjatë gjithë kohës thoshte se ka vendim të pakthyeshëm për lista të ndara në këshillat komunalë dhe pikërisht kjo ishte arsyeja pse doli nga VLEN.”
Ai akuzon Taravarin se tani është bërë bashkë me figurat që më parë i kishte kritikuar publikisht:
“Tash, u bë e qartë se do të shkojë në zgjedhje me lista të përbashkëta me Ali Ahmetin, me Musa Xhaferin dhe me Blerim Bexhetin, për të cilët s’kishte lënë gjë pa thënë, as në publik e as në mbledhje të brendshme.”
Ibrahimi nuk përmbahet në tonin e tij, duke e cilësuar këtë lëvizje si akt të zhgënjimit të thellë politik dhe moral:
“Për fat të keq dhe me keqardhje e them se z. Arben Taravari ka mashtruar.”
Në mënyrë të prerë, ai denoncon atë që e quan shtrëngim politik nga ana e BDI-së:
“E gërditshme është shkalla në të cilën Ali Ahmeti po i shtrydh njerëzit për ndonjë sukses politik, për të shpëtuar vetveten politikisht.”
Në fund, Ibrahimi lë të kuptohet se populli do ta japë përgjigjen e tij në mënyrë të qartë në zgjedhje:
“Çfarë të mbjellësh, do të korrësh.”










