Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët akuzohen se ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, me qëllim prodhimin dhe shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuara euro.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari i parë, i cili konsiderohet organizatori i rrjetit, ka formuar grupin kriminal nga fundi i vitit 2023 deri në shkurt 2025, duke përfshirë shtetas maqedonas dhe gjashtë shtetas serbë (ndaj të cilëve procedura penale po zhvillohet në Serbi).
Grupi kishte në posedim makineri dhe pajisje të specializuara për prodhimin e kartëmonedhave të rreme me prerje 20, 50, 100 dhe 200 euro. Paratë false shiteshin në Serbi për 25-30% të vlerës reale. Vetëm gjatë periudhës qershor 2024 – janar 2025, grupi arriti të shesë 114,150 euro të falsifikuara për 42,400 euro në para të vërteta.
I akuzuari i gjashtë, ndërkohë, kishte rol kyç teknik – ai prodhoi dhe mirëmbante pajisjet e specializuara për falsifikim.
Në total:
Pesë persona akuzohen për veprën penale të “Falsifikimit të parave”.
Dy prej tyre, përfshirë organizatorin, akuzohen edhe për “Prodhim dhe blerje të mjeteve për falsifikim”.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu zgjatjen e masës së paraburgimit, ndërsa hetimet për bashkëpunëtorët në Serbi vazhdojnë në bashkëpunim me autoritetet përkatëse.










