Trendy

Ali Ahmeti reagon pas thirrjeve raciste në Kumanovë: “Më 19 tetor, populli do të flasë shurdhueshëm kundër përbuzjes dhe vazalitetit!”

Para 8 muaj

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve raciste dhe shprehjeve të urrejtjes që u dëgjuan në Kumanovë, duke i quajtur ato pjesë të një fushate të qëllimshme kundër barazisë dhe arritjeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ahmeti shprehet:

“E kuptoj dhe e ndaj mllefin tuaj miq, jo vetëm nga klithmat e urrejtjes në Kumanovë, por edhe nga fushata e përditshme sistematike kundër barazisë dhe çdo gjë që arritëm bashkë me shumë mund ndër vite.”

Ai thekson se nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar, por për një atmosferë të krijuar me qëllim nënçmimin dhe përjashtimin e shqiptarëve nga jeta institucionale dhe demokratike e vendit.

Në këtë kontekst, Ahmeti bën thirrje për mobilizim të fuqishëm në muajin tetor, duke i bërë jehonë mesazheve të qarta kundër padrejtësive:

“Tetori miq, në tetor vjen dita juaj për t’i thënë njëzëri dhe masivisht mjaft më:
– Përbuzjes
– Ofendimeve
– Nënçmimit
– Vazalitetit
– Përkuljes
– Shumëzimit me zero
– Përndjekjeve
– Anulimit të Marrëveshjes së Ohrit, gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, Badinterit dhe Balanserit
– Largimit nga Bashkimi Europian dhe afrimit me Rusinë e Serbinë.”

Në fund, Ahmeti paralajmëron se 19 tetori do të jetë dita e përgjigjes qytetare ndaj çdo përpjekjeje për të zhbërë të arriturat kolektive:

“Më 19 tetor populli do të flasë shurdhueshëm zëshëm kundër eksperimenteve të vazalitetit!!! Po ndodh populli…bashkë!”

Ky reagim i liderit të BDI-së vjen pas incidentit të fundit në Kumanovë i cili është cilësuar si shenje e rrezikshme e kthimit pas në raportet ndëretnike në vend.

Trending