Organizata “Maqedonia2025”, në partneritet me Qeverinë, ka nisur një fushatë me moton “Diasporë maqedonase, kthehu sërish në shtëpi”, me qëllim që të nxisë mërgimtarët të kthehen në atdhe.
Një reklamë e tillë vetëm në gjuhën maqedonase me disa aktivistë është vendosur që në pikën kufitare Tabanoc, ku po bëhet pritja e diasporës, të cilëve u shpërndahen fletushka.
Si pjesë e kësaj fushate, e cila ka filluar në muajin korrik, janë vendosur bilborde në mbarë vendin, ndërsa në pikën kufitare të Tabanocit shpërndahen fletushka me të cilat diaspora ftohet të plotësojë një anketë.
Nga “Maqedonia2025” thonë se qëllimi i anketës nuk është vetëm grumbullimi i të dhënave, por edhe nxitja e ndryshimeve.
“Anketa synon të kuptojë përvojat, nevojat dhe aspiratat e maqedonasve që jetojnë jashtë vendit, pavarësisht nëse janë larguar së fundmi apo janë gjenerata e dytë, e tretë apo më tej. Vështrimet tuaja do të shërbejnë si bazë për rekomandimet e politikave ndaj qeverisë maqedonase, duke ndihmuar në lehtësimin e jetës suaj dhe të familjes suaj – pavarësisht nëse jeni vizitorë, investitorë, kthyer në atdhe apo të lidhur me vendin tuaj në ndonjë mënyrë”, shpjegojnë nga organizata.
Sipas tyre, informacionet e grumbulluara do të përdoren për të mbështetur politika më përfshirëse – nga riintegrimi më i lehtë dhe mundësitë për biznes, deri te programet që e bëjnë më të kapshëm kthimin apo kontributin ndaj vendit.
“Maqedonia2025” është një organizatë ndërkombëtare, e pavarur dhe jopolitike, e themeluar në vitin 2007 nga mërgimtarë maqedonas. Qëllimi i saj, sipas faqes zyrtare të internetit, është të nxisë zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm që do të përmirësojë mundësitë për qytetarët, kompanitë dhe investitorët e huaj, duke i mundësuar diasporës të kontribuojë për atdheun e vet.(INA)










