Trendy

Mexhiti për drejtësinë: Aty ku nuk duhet, e tepron! Aty ku duhet, mungon!

Para 7 muaj

Zëvendëskryeministri i parë dhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Penale ndaj një tifozi shqiptar, i cili u dënua me burg me kusht për valëvitjen e një flamuri që përfaqëson hartën etnike të “Shqipërisë së Madhe” gjatë një ndeshjeje sportive.

Mexhiti ka theksuar se ky dënim është tregues i standardeve të dyfishta që aplikohen nga drejtësia në vend, duke shtuar se ndërkohë që një veprim simbolik ndëshkohet me vendim penal, thirrjet raciste dhe anti-shqiptare kalojnë pa asnjë pasojë.

“Aty ku nuk duhet, tepron! Aty ku duhet, mungon!”, ka deklaruar shkurt dhe prerë Izet Mexhiti, duke përçuar një mesazh të qartë për mungesën e barazisë në trajtimin gjyqësor të qytetarëve.

Ai gjithashtu ka rikujtuar se ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim ndaj tifozëve që gjatë ndeshjes së basketbollit të përfaqësueses maqedonase bënë thirrje të hapura për urrejtje etnike.

Sipas tij, drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, përndryshe humbet funksionin e saj si garant i rendit demokratik.

Trending