Shkruan: Enver Tahiri
Trashëgimia e Mjerimit prej politikbërjes shterpë.
“Kush ushqen politikbërjen shterpë, trashëgon mjerimin…”
20 Vjet Punë për një të Ardhme të Shkatërruar.
Ndërsa zhurma e teatrit politik të sotëm na shurdhon, është e lehtë të harrojmë se gjendja e mjerë në të cilën ndodhemi nuk lindi brenda një nate.
Ajo është rezultat i një pune të “vyeshme”, një projekti 20-vjeçar i lidershipit shqiptar në politikën e Maqedonisë së Veriut, që shkatërroi me themel jetën sociale, demografinë dhe vetë shpresën.
Ky nuk është thjesht një dështim politik; është një destruksion i planifikuar, frytet e të cilit po i korrim sot dhe do t’i korrim për vite me radhë.
-Eksodi si Projekt Demografik:
Kur sot flasim për rininë që po ikën, duhet të kujtojmë se ky nuk është një fenomen i ri. Ky është kulmi i 20 viteve pa perspektivë, pa shpresë, ku e vetmja rrugëdalje ishte aeroporti✈️.
Ata nuk krijuan vende pune, por krijuan një mjedis ku shpresa vdiste çdo ditë.
Zbrazja e vendit nga truri dhe energjia e tij më vitale është “puna e tyre më e “vyeshme”, një sukses tragjik që do të na kushtojë për breza të tërë.
-Normalizimi i Mjerimit:
Problemet alarmante të sotme – nga spitalet e rrënuara te arsimi i degraduar , pasiguri sociale dhe ardhmëri e zymtë – nuk janë të reja. Ato janë rezultat i një neglizhence 20-vjeçare, ku fondet publike shkonin për interesa klienteliste dhe jo për të mirën e përbashkët. Ata na mësuan të jetojmë me mjerimin, ta pranojmë atë si normalitet.
Tani, sfida për të ndrequr këtë shkatërrim është pothuajse e paimagjinueshme.
Dëmi është aq i thellë, saqë edhe përpjekja më e madhe dhe më e sinqertë mund të mos mjaftojë për të arritur një rezultat të dëshiruar në një kohë të shkurtër por besa dhe në 20 vitet e ardhshme.
Kjo është barra më e rëndë që na kanë lënë.
Prandaj, kur i shihni sot duke folur për “interesat e qytetarëve”, mos harroni kurrë se për 2 dekada, puna e tyre e vetme ishte shkatërrimi i këtyre interesave. Gjendja e sotme nuk është një aksident;
ËSHTË TRASHËGIMIA E TYRE!










