Reagimi i VLEN ndaj deklaratave të BDI-së kundër ministrit të Shëndetësisë, dr. Azir Aliu, ka qenë i ashpër, duke e quajtur “hipokrizinë më të madhe që mund të prodhojë një parti që për mbi dy dekada e ka shkatërruar sistemin shëndetësor, e në veçanti Spitalin e Tetovës, të cilin e ka lënë në gjendje mjeruese dhe të padenjë për qytetarët.”
Sipas VLEN, nëse sot ekziston nevoja për një Qendër Klinike moderne në Tetovë, kjo është rezultat i “neglizhencës dhe dështimit të BDI-së, e cila 20 vite ka marrë pushtetin me votat e qytetarëve dhe ka kthyer vetëm zhgënjim.”
Ata rikujtojnë se “kur Arben Taravari ishte ministër i Shëndetësisë, në vetëm një vit nuk solli asnjë projekt madhor, por la pas vetëm skandale, nga tenderët e dyshimtë me firmën e Gjokës e deri te abuzimet me licencat për kanabisin mjekësor. Sot, ky tandem BDI–Taravari kërkon të japë leksione morali.”
Ndryshe nga kjo periudhë, VLEN thekson se Qeveria aktuale ka marrë një vendim historik: “mbi 70 milionë euro do të investohen në ndërtimin e Qendrës Klinike më moderne në rajon, në Tetovë, një investim që do t’i shërbejë jo vetëm qytetarëve të Pollogut, por gjithë Maqedonisë së Veriut.”
Në përfundim, reagimi i VLEN është i qartë: “BDI dhe Taravari le të kujtojnë se qytetarët nuk vuajnë nga amnezia, ata e dinë kush e shkatërroi shëndetësinë dhe kush po e ngre atë nga rrënojat. Ne do ta kurojmë shëndetësinë, por asnjëherë mendjen e prishur të BDI-së dhe Taravarit.”





